Gjykimi i deputetëve | Foto: KALLXO.com

Arsyet për Vazhdimin e Paraburgimit ndaj Kurtit e Kadajt

KALLXO.com siguroi sot aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin iu vazhdua paraburgimi deputetëve të Vetëvendosjes Albin Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit.

Në aktvendim kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, tregoi pse iu vazhdua paraburgimi dy deputetëve.

“Të akuzuarit në vazhdimësi i janë shmangur kontaktit me organet shtetërore, të njëjtit nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre, pra nga këto rrethana gjykata ka ardhur në përfundim se të njëjtit janë fshehur”, thuhet në aktvendim.

Gjykata atë që e konsideron fshehje e trajton si shmangie e pranimit të thirrjes prej saj nga të akuzuarit.

KALLXO.com ka shkruar për mungesat e Albin Kurtit në gjykimin e tij dhe tre deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes në lidhje me hedhjen e lotsjellësit në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi ka pasur raste kur ka munguar.

Në aktvendim më tutje thuhet se prania e të akuzuarve nuk mund të sigurohet me ndonjë masë tjetër më të butë.

“Kryetari i trupit gjykues vlerësoi se tani për tani me ndonjë masë tjetër nuk mund të arrihet sigurimi i pranisë së të akuzuarve në procedurë penale dhe zhvillimi i suksesshëm i kësaj procedure”, thuhet në aktvendim.

Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi dotë qëndrojnë në paraburgim deri më 27 janar 2017.

Mbrojtja e deputetëve ka të drejtë ankese brenda 24 orësh.

Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha dje se po të pyetej ai, Albin Kurti do të ishte i lirë.

http://kallxo.com/haradinaj-po-te-pyetesha-une-albin-kurti-ishte-lire/