‘Pa asistent unë jam jashtë shkollës’, kampanja që tregon sfidat e fëmijëve me nevoja të veçanta në ndjekje të mësimit

 

Sot është lansuar kampanja ‘Pa asistent unë jam jashtë shkollës’, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe lobimin ndaj institucioneve që secili nxënës me nevoja të veçanta duhet të ketë mbështetjen e asistentit në shkollë.

Kjo kampanjë është implementuar prej grupit avokues të fëmijëve me nevoja të veçanta ‘’Hëna’’ dhe është mbështetur nga Save the Children në Kosovë.

Sipas organizatës “HANDIKOS” situata me pandeminë e ka rënduar edhe më tepër përfshirjen e tyre në mësim me sfida të shumta të cilat në kuadër të kampanjës janë identifikuar gjatë takimeve me prindër, siç janë:

Mos arritja e objektivave të planit individual të fëmijës në mungesë të një mbështetjeje individuale për fëmijën; rënia e motivimit; mos ndjekja e mësimit online për shkak të natyrës grupore të zhvillimit të mësimeve si dhe regres në arritjet mësimore pikërisht për shkak të arsyeve të mësipërme.

Në komunikatën për media të HANDIKOS thuhet se aktualisht, në tërë Kosovën janë të punësuar 100 asistentë, numër ky dukshëm i ulët në raport me nevojat e fëmijëve me nevoja të veçanta në vend.

“Me qëllim të zgjidhjes së sfidave të identifikuara, përfaqësues të grupit janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku kanë kuptuar se planet e ministrisë në katër vitet e ardhshme janë që të punësohen edhe 400 asistentë të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, lidhur me këtë qëllim, janë zhvilluar takime edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit

në katër komunat target: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë e Mitrovicë.

Grupi Avokues i Fëmijëve me nevoja të veçanta “Hëna” është grup jo formal i themeluar më

2017 nga HANDIKOS , me mbështetje të Save the Children në Kosovë, që ka mision garantimin

dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta.