Demir Limaj bëhet profesor në Universitetin e Prizrenit

Demir Limaj, vëllai i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Fatmir Limaj pritet të marrë kontratë të rregullt me Universitetin e Prizrenit.

Limaj mori titullin Profesor Asistent për disa lëndë në fushën e ekonomisë, në Fakultetin Ekonomik të UPZ.

Ai deri më tani ka qenë duke punuar si mësimdhënës i angazhuar në këtë universitet.

Të premten, Senati i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ votoi përzgjedhjen e Limajt në këtë pozitë. Kështu, Limaj ‘mundi’ 7 kundër kandidatë.

Sipas universitetit, votimi për të ishte unanim. Deri më tani sipas universitetit nuk ka pasur ankesa nga kundërkandidatët.

“Pas kalimit të gjitha procedurave të parapara me Konkurs, Statut dhe dispozitat ligjore dhe nënligjore, në mbledhjen e mbajtur më 5.7.2019 me propozim të Komisionit Recensues dhe Komisionit të Studimeve dhe me votim unanim(18 vota) të Senatit të Universitetit, z. Limaj është zgjedhur në thirrjen Prof. Ass. në Fakultetin e Ekonomisë. Të njëjtën ditë janë plotësuar 5 vende me staf akademik në këtë njësi akademike”, thuhet në përgjigjen e universitetit.

Në të njëjtën kohë, Limaj punon edhe në Telekomin e Kosovës si drejtor i shitjes. Ai për KALLXO.com tha se do të kërkojë interpretim ligjor nëse i lejohet mbajtja e këtyre dy pozitave në të njëjtën kohë.

Ai tha se nëse nuk i lejohet, ai do të vazhdojë punën në botën akademike dhe do të heqë dorë nga puna në Telekom.

KALLXO.com kishte siguruar raportin e Komisionit Recensues të universitetit që kanë vlerësuar se Limaj e meriton të zgjidhet në këtë pozitë nga shtatë kandidatët tjerë që kishin konkuruar.

Vendimin e tyre, Komisioni Recensues e ka bazuar në disa aspekte, duke filluar nga grada shkencore e Limajt, Doktor i Shkencave Ekonomike, marrë në Universitetin Europian të Tiranës.

Përvojën e mësimdhënies në Kolegjin Fama dhe në Universitetin e Prizrenit si i angazhuar, punimet shkencore e të tjera.

Ata i kanë përmendur edhe përvojën Menaxheriale në Telekomin e Kosovës, ku vazhdon të punojë Limaj si Drejtor i Shitjes.

Universiteti i Prizrenit për KALLXO.com ka bërë të ditur se nuk ka pasur ankesa nga kundërkandidatët për këtë pozitë.

Ata nuk kanë treguar se prej sa kohësh Limaj punon në universitetin e Prizrenit, si profesor i angazhuar.

“z. Limaj ka qenë i angazhuar edhe në Semestrin e kaluar mësimdhënës në lëndët e këtij fakulteti, ndërkaq ka përvojë të gjatë të mësimdhënies në universitet”, thuhet në përgjigje.

Dyshimet për ndikimin e NISMA Socialdemokrate në Universitetin e Prizrenit

Nisma Socialdemokrate ka një dorë të fortë brenda Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’.

Kryesuesi i Bordit të këtij universiteti, Bedri Muhadri është anëtar i kësaj partie, ndërsa ky bord në vazhdimësi kishin zgjedhur Ismet Temaj për të qenë në krye të këtij universiteti, pas një procesi problematik të zgjedhjeve.

Një fotografi që tregon Demir Limajn së bashku me kandidatin për rektor të Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj, qarkulloi ditën kur ishte paraparë të bëhet zgjedhja e rektorit.

Temaj më pas u zgjodh rektor me shumicë votash.

Limaj kishte pranuar që u takua me Temajn ditën e zgjedhjeve mirëpo sipas tij nuk u bisedua për procesin zgjedhor.

KALLXO.com ka shkruar për pasurinë e Demir Limajt.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar dhe analizuar në vazhdimësi procesin e përzgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prizrenit dhe ndikimet politike në këtë universitet.

 

‘Kthetrat’ e politikës në Universitetin e Prizrenit