Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

ARKEP ultimatum operatorëve për largimin e  +377 dhe +386 nga përdorimi

15 janari i vitit 2019 do të jetë afati i fundit që operatorët telefonikë si Telekomi i Kosovës dhe IPKO të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 përndryshe pasojnë dënimet monetare.

Këta operatorë do të paguajnë nga 10 mijë euro në muaj nëse nuk e respektojnë këtë afat për implementimin e plotë të kodit shtetëror telefonik +383.

Në mbledhjen e sotme, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare mori vendim që t’i shqiptohet vërejtja e fundit për zbatim të kodit të gjithë operatorëve, si masë paraprake e domosdoshme para përcaktimit të sanksioneve ekonomike si edhe të përcaktohet masa sanksionuese  në shumë prej 10.000 euro në baza mujore efektive prej datës 15 janar 2019 për operatorët që nuk largojnë kodet e huaja nga përdorimi.

ARKEP po ashtu ka trajtuar kërkesat për shtyrje të afatit të largimit të kodeve të huaja në përdorim në Republikën e Kosovës si kode paralele, respektivisht kodit 377 nga operatori Telekomi i Kosovës dhe kodit 386 nga operatori IPKO dhe ka vendosur që të mos pranojë kërkesat për shtyrje të afatit.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të këtij viti por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të këtij viti.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të këtij viti.

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

Sfidat e 383-shit

Sfidat e 383-shit