Kosova i dha leje, Telekomi i Serbisë vazhdon të zgjerohet në Kosovë

Kompania “MTS” D.o.o që është filial i Telekomit të Serbisë në Kosovë, ka shtrirë rrjetin në gati të gjithë operatorët kabllorë në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Kështu është bërë e ditur nga menaxheri i përgjithshëm i “Telekom Serbia”, Vladimir Luçiq.

Në një prononcim për media të përfaqësueseve të “Telekom Serbia” para pak ditësh u tha se “MTS” D.o.o ka arritur të shtojë numrin e konsumatorëve nga 2 mijë e 500 në 30 mijë, vetëm në dy vitet e fundit dhe se është duke negociuar për të blerë edhe operatorët e mbetur në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

“MTS” D.o.o është krijuar si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin në vitin 2015.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK)  figuron se kjo kompani është regjistruar në dhjetor të vitit 2015 si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

Adresa e këtij operatori është në Lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku përfaqësues janë Dejan Ognjanoviq dhe Zoran Milojeviq , ndërsa pronar kryesor është Telekomi i Serbisë.

Sipas të dhënave në ARBK, ky operator ka pesë njësi nëpër disa komuna të Kosovës: Graçanicë, Ranillug, Shtërpcë, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kompana “MTS” D.o.o së pari mori operatorët më të mëdhenj kabllorë në veri të Kosovës – VGN dhe Impuls, në fund të vitit 2019.

Kjo kompani si aktivitetet primar ka telekomunikimin kabllor, në atë sekondar bën pjesë telekomunikimi pa tela apo Wireless.

Ndërsa, tek aktivitetet e tjera hyjnë ai satelitor, web portalet,  aktivitete për shitje të mallrave, tregti me pakicë në dyqane jo të specializuara dhe tregti me pakicë të pajisjeve të telekomunikimit në dyqane të specializuara.

Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), operatori i përkohshëm “MTS” D.o.o ka filluar implementimin e kodit shtetëror telefonik +383 në qershor të vitit 2019.

Në Kosovë kanë operuar tre operatorë serbë në pjesë të caktuara të Kosovës, pala kosovare pati thënë se në bazë të marrëveshjes dy operatorë do të shuajnë aktivitetin e tyre.

Kurse, operatori MTS, i cili është funksional, do të vazhdojë operimin por tash si operator i licencuar nga institucionet e Kosovës.

Këtij operatori iu ndanë në përdorim 60 mijë numra me funksion në vetëm pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.

Operimin e ligjshëm të operatorit “MTS” D.o.o e kishte konfirmuar edhe ish-kryetari i ARKEP-it, Kreshnik Gashi në vitin 2017.

“Operatori mobil serb MTS D.o.o, zyrtarisht ka filluar operimin në disa pjesë të Kosovës legalisht, ndërsa janë shuar operatorët ilegalë që ishin prezent që nga paslufta në Kosovë, Telenor dhe VIP”, ka deklaruar Gashi.

Në një vendim të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) më 17 maj  2019 është rekomanduar licencimi i operatorit “MTS” D.o.o

vendimin për licencim thuhet se KPM i ka dhënë licencë kompanisë “MTS” D.o.o për të shpërndarë rrjetin e IMPTV-së në disa komuna të Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar të marr deklarime nga ARKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK) lidhur me deklarimet e përfaqësueseve të “Telekom Serbia” se janë në negocim për blerje të operatorëve tjerë të mbetur në komunat me shumicë serbe, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.