Ambasada Amerikane: Të gjithë humbëm me rezultatin për Interpol

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka lëshuar një deklaratë pas dështimit të Kosovës që të anëtarësohet në Interpol.

Në këtë deklaratë, Ambasada thotë se Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, me një histori të dëshmuar për të ndihmuar zhbërjen e terroizmit ndërkombëtar, krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe rrjeteve të kontrabandës me njerëz.

“Shumica e vendeve e panë këtë dhe e mbështetën aplikacionin e Kosovës për t’iu bashkuar Interpol-it në sytë e një fushate, të drejtuar nga Serbia, për t’u bërë presion shteteve që ta kundërshtojnë aplikacionin e Kosovës. Mbështetja e Kosovës në Interpol nuk ka qenë asnjëherë për njohjen e pavarësisë së Kosovës por për forcimin e bashkëpunimit global dhe mbylljen e një hendeku kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat kemi humbur të gjithë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i përshpejtojnë përpjekjet e tyre për ta arritur një marrëveshje për normalizim të plotë e cila është mënyra e vetme për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e tyre drejt BE-së. Si Serbia ashtu edhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugët e tyre drejt të ardhmes europiane kalojnë nëpërmjet normalizimit. Për ta arritur këtë, ne kërkojmë nga to që t’i anashkalojnë provokimet dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje”, thuhet në deklaratë.

Kosova nuk ka mundur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Interpol as në raundin e dytë të votimit.

Në rivotimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol-it që po mbahet në Dubai, Kosova ka marrë 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Në votimin e dytë, Kosova mori 8 vota më pak se në të parin.

Kosova nuk kishte marrë votat e mjaftueshme në votimin e raundit të parë për anëtarësim në Interpol që u mbajt nja 30 minuta para raundit të dytë.

Pas votimit në rundin e parë Kosova pro anëtarësimit në Interpol kanë votuar 76 shtete, kundër saj kanë votuar 56 shtete dhe 22 kanë abstenuar.

Para se të votohej kanë mbajtur fjalim  përfaqësuesit e 24 shteteve ku Pakistani dhe Guajana janë shprehur pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të bashkëpunimit policor, duke kundërshtuar kështu lobimin serb kundër Kosovës.

Po ashtu pro Kosovës janë deklaruar edhe Turqia dhe Arabia Saudite.

Ndërsa kundër kanë qenë Maroku dhe Rusia.

Për t’u anëtarësuar në Interpol Kosovës i duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të pranishëm.