Gjykimi i të akuzuarit për narkotikë | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Për Hir të Nënës do ta Lë Drogën

I akuzuari për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogës Ylli Duli e pranoi fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet, edhe pse në fillim u deklarua fajtor vetëm pjesërisht.

Ai u deklarua fajtor për blerje dhe posedim të drogës, por jo edhe për shitje dhe shpërndarje të saj.

Megjithatë, pasi u konsultua me avokatin e tij Faik Hoxha, Hoxha i kërkoi gjykatës që të mbrojturin e tij ta pyeste edhe një herë se si ndihej në lidhje me akuzën.

Ylli Duli pastaj e pranoi në tërësi fajësinë, por tha se drogën e llojit marijuanë e kishte blerë për vete.

“E pranoj fajësinë, unë jam përdorues i substancave narkotike, këtë sasi e kam blerë me qëllim që ta përdor për vete. Sa i përket shëndetit, tani jam më mirë pasi që terapia po ndikon pozitivisht”, tha Duli.

Më tej, ai shtoi se është duke bërë përpjekje që të tregojë rezultate të mira për hir të nënës dhe t’ia plotësojë dëshirën duke mos qenë përdorues i marijuanës në të ardhmen.

“Premtoj se do të mundohem ta zvogëloj sasinë e konsumimit dhe probleme nga unë nuk do të ketë”, u zotua Duli.

Avokati Faik Hoxha i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga Duli dhe t’i shqiptojë dënim sa më të butë duke e marrë si rrethanë lehtësuese këtë pranim fajësie.

Prokurori Ilaz Beqiri, propozoi që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit me anë të rehabilitimit të detyrueshëm për personat e varur nga droga apo alkooli.

“Me rastin e matjes së shqiptimit të sanksionit penal të merret si rrethanë lehtësuese fakti që e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”, tha Beqiri.

Ndërsa Avokati Hoxha kërkoi që të mbrojturit të tij t’i hiqet edhe masa e arrestit shtëpiak.

Prokurori Beqiri u pajtua me avokatin edhe që Duli të lirohet nga arresti shtëpiak, pasi tha se ka pranuar informacione nga familjarët e tij se kur qëndron vetëm në shtëpi bëhet edhe më agresiv.

Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë dhe ditët në vijim pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Në këtë proces gjyqësor, Ylli Duli akuzohet se më 13 prill të vitit 2017, gjatë kontrollit të Policisë së Kosovës në shtëpinë e tij në Fushë-Kosovë, i janë gjetur dhe sekuestruar dy paketime në qese najloni me substancë narkotike.

Pesha e përgjithshme e barit me ngjyrë të gjelbër të llojit marijuanë ishte prej 1 kilogramë e 849 gramë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Duli e posedonte këtë sasi droge që ta konsumojë me shokët e tij.

I akuzuari edhe në seancën e kaluar pranoi se është përdorues marijuane.

http://kallxo.com/akuzuari-thote-se-konsumon-droge-qe-14-vjet/