7 Vjet Burg dhe 1 Mijë e 500 Euro Gjobë Grabitësve të Bankës “Raiffeisen”

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me katër vjet burg dhe 1 mijë euro gjobë Adil Krasniqin, ndërsa dënim prej tre vjetësh burgim dhe 500 euro gjobë i shqiptoi Sami Brahimit. Të dy akuzoheshin për grabitje të një filiali të bankës “Reiffeisen”.

Bashkë me Krasniqin e Brahimin për dhënie të ndihmës gjatë grabitjes akuzohej edhe Ramiz Berisha, por ai u lirua.

Pjesë e aktakuzës ishte edhe Bashkim Shaqiri që ndodhet në arrati, por procedura ndaj tij është veçuar.

Prokuroria  Adil Krasniqin, Sami Brahimin dhe Ramiz Berishën  fillimisht i akuzoi për dy grabitje të bankave, “Bankës Ekonomike” në Hajvali dhe “Raiffeisen Bank”-ës në Rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Por prokurori në fjalën përfundimtare hoqi dorë nga pika e parë e aktakuzës ku ishte përshkruar grabitja e “Bankës Ekonomike” në Hajvali duke e bazuar aktakuzën vetëm në pikën 2 ku flitej për vjedhjen në “Raiffeisen”.

Filiali i kësaj banke në Rrugën “Nazim Gafurri” u plaçkit më 29 prill 2013, ndërsa grabitësit ia dolën të vjedhin 13 mijë e 423 euro e 63 centë.

I akuzuari Sami Brahimi kishe pranuar fajësinë që nga marrja në pyetje në polici dhe gjatë gjithë procedurës së zhvilluar për këtë pikë të aktakuzës.

Adil Krasniqi dhe Sami Brahimi do të paguajnë edhe nga 100 euro shpenzime të procedurës penale.