Zyra e BE-së Kritikon KGJK-në

Në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e BE-së, përfaqësuesja e saj në Kosovë Natalya Apostolova dhe EULEX-i konstatohet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka garantuar proces të drejtë të përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.

“Përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.

Në reagim Zyra e BE-së tregon edhe se si duhet të jetë gjyqësori i Kosovës.

“Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane”, vijon deklarata.

Gjykata Kushtetuese anuloi proceset e përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit, pasi konstatoi se “mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita”.

Në deklaratë Zyra e BE-së thotë se “BE-ja së bashku me partnerë të tjerë ka punuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të avancuar procedurën e përzgjedhjes dhe në këtë drejtim mirëpret përmirësimet e bëra në legjislacionin përkatës të Këshillit”.

KALLXO.com kishte shkruar për anulimet e procesit të përzgjedhjes së kryetarit tëp Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme.

Valdete Daka, kryetarja aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ishte kandidate për të drejtuar Gjykatën e Apelit ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se e ka pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes për kryetar të Gjykatës Supreme që kanë cenuar të drejtën e saj për pjesëmarrje dhe për t’u zgjedhur.