Vdekja e parashutistëve | Foto: RTV21

Vdesin Tre Parashutistë në Australi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Australi, kur tre parashutistë kanë humbur jetën pasi u përplasën në ajër me njëri-tjetrin, të paktën sipas policisë lokale.

Incidenti tragjik ndodhi në zonën “Mission Beach”, një vend shumë popullor për këtë sport ekstrem.

Policia e provincës së Queenslandit tha se 3 viktimat, dy meshkuj në të 30-at dhe një femër rreth 50 vjeç, u gjetën të vdekur në vendngjarje.

Sipas hetimeve fillestare thuhet se parashutisti që fluturonte vetëm, duhet të jetë përplasur me dy të tjerët që fluturonin bashkë.

Si pasojë, parashutat nuk u hapën siç duhej dhe viktimat gjetën vdekjen e menjëhershme për shkak të rënies nga lartësia e madhe.

Kompania “Skydive Australia”, që organizon hedhjet me parashutë, tha se kishte ndërprerë aktivitetin, ndërsa zhvillohet hetimi.

Mësohet se dy parashutistët meshkuj ishin ekspertë të këtij sporti, ndërsa femra ishte një turiste.

Lidhur me ngjarjen e rëndë autoritetet vendase thanë se 3 viktima në një incident është fatkeqësi e vërtetë, por praktikimi i këtyre sporteve sjell edhe rreziqe me vete.