"Të Rinjtë Evropianë" | Foto: KALLXO.com

Tri Rezoluta të “Evropianëve të Rinj”

Rezolutat që përfshijnë nevojat e të rinjve të miratuara në konventën e Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës do t’u drejtohen Kuvendit dhe qeverisë.

Presidenti i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës Avdullah Rrahmani, tha se këshilli dhe vetë ai janë të lumtur që konventa evropiane po realizohet edhe në Kosovë siç ndodh edhe në vendet e tjera evropiane.

“Çdo gjeneratë e ka misionin e vet të cilin do ta arrijë, nëse të gjithë e kryejnë në mënyrën e duhur punën e tyre,” tha Rrahmani.

Ai kërkoi që të rinjtë e Kosovës të jenë të bashkuar dhe të barabartë me të rinjtë evropianë.

“Shpresojmë që nuk do të ju ndaj asnjë segment politik dhe ju do të jeni së bashku me të gjithë evropianët e rinj,” tha Rrahmani.

Të pranishëm ishin edhe personalitete nga politika, kurse të rinjve iu drejtua deputeti Adem Grabovci.

Grabovci duke iu drejtuar Avdullah Rrahmanit dhe këshillit që organizoi konventën, u sugjeroi që të mos kërkojnë lëmoshë, por të drejtat e tyre.

“Zotëri kryetar mos kërko lëmoshë as nga unë, as nga Elmi Reçica, por kërko angazhim dhe përkushtim nga këta djem dhe vajza të mrekullueshme…mbështetuni vetëm tek e drejta e juaj dhe atë kërkojeni edhe me ligj,” tha Grabovci.

Ai deklaroi se këta të rinj do të jenë edhe liderët politikë të ardhshëm, ndërsa tha se ndjehet i lumtur që ka kujt t’ia lë vendin dhe institucionet.

Disa nga senatorët e Këshillit  të Rinisë Evropiane të Kosovës paraqiten kërkesat e tyre.

Ata kërkuan që të krijohet një legjislacion i cili i mbron fëmijët nga dhuna fizike dhe ajo psikologjike, të luftohet delikuenca, të rinjtë të përfshihen në vendimmarrje dhe të kenë përkujdesje më të madhe shtetërore.

Anëtarja e Këshillit Jeta Statovci tha se rezoluta pasqyron vullnetin e rinisë dhe është në përputhje edhe më konventën evropiane.

“Ne përmes kësaj rezolutë zotohemi më përgjegjësi të plotë që në mënyrë demokratike së bashku me institucionet e Kosovës do të angazhohemi pa ndërprerë për të gjithë të rinjtë e Kosovës,” tha ajo.

Ajo kërkoi nga Presidenti, Kuvendi dhe udhëheqësit shtetërorë që të bashkëveprojnë për zgjidhjen e problemeve të të rinjve.

Rezolutat të cilat u votuan më shumicën e votave nga ana e senatorëve do të nënshkruhen nga ana e tyre dhe do i dorëzohen Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.