Isa Mustafa në Kuvend | Foto: Atdhe Mulla

Top Rrenat e Kryeministrit Mustafa

Kryeministri Mustafa gjatë mandatit të tij e ka përdorur profilin e tij në Facebook për të dhënë lajme e analiza, por shpesh e ka përdorë edhe për fyerje dhe ofendime për ata që e kanë kundërshtuar.

“Muri i Rrenave të Kryeministrit” e ka matur deklaratën e kryeministrit për murin e ndërtuar në pjesën veriore të Kosovës. “Muri në pjesën veriore të Mitrovicës, një vepër e ndyrë e strukturave paralele serbe dhe e Beogradit. Murin e trajton dhe e rrënon ligji”, kishte shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Deklarata ishte cilësuar si rrenë e kryptë. Mustafa ia ka huqë emërtimit zyrtar të komunës së Mitrovicës së Veriut, mënyrës së financimit dhe zbatimit të ligjit.

Kryeministri Isa Mustafa kishte thënë disa të pavërteta edhe sa i përket zhvillimeve ekonomike. Ai disa herë e kishte përmendur projektin e Brezovicës, madje duke thënë se Kosova po e fiton besimin e investitorëve. E ka qenë pikërisht mungesa e besimit të investitorëve ajo që e ka shtyrë projektin e Brezovicës drejt dështimit. Dështimi i projektit është bërë nën qeverisjen Mustafa.

Mustafa ka tentuar të manipulojë me numrat e papunësisë, ashtu siç kanë vepruar edhe presidenti Thaçi e këshilltari i kryeministrit, Besnik Berisha.

“Prej papunësisë prej 34 për qind kemi rënë në papunësi prej 26 për qind… Jam i bindur që është edhe më pak se 26 për qind”, ka thënë Mustafa. Kur e ka thënë këtë kryeministri, papunësia ka qenë në shkallën prej 27.5 për qind.

Kryeministri Mustafa disa herë e ka përsëritur se rritja ekonomike në vitin 2016 ka qenë mbi 4 për qind, gjë që ka qenë e pavërtetë. Kjo është përsëritur edhe në kohën kur pothuajse ishte e konfirmuar se rritja ekonomike në vitin 2016 nuk e ka arritur shifrën prej 4 për qind. Rritja ekonomike në vitin 2016 ka qenë vetëm 3.4 për qind.

Kryeministri Mustafa kishte thënë se kanë suspenduar çdo zyrtar ndaj të cilit është ngritur aktakuzë. Kjo gjë nuk ka qenë e vërtetë. Mustafa nuk e ka suspenduar e as shkarkuar ministrin e për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë javën e kaluar nën dyshimin se kreu veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Mustafa e ka amnistuar edhe shefin e kryetarit të komisionit që bëri shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Mehës, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryeministri Mustafa ka thënë disa herë të pavërteta edhe sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Ai fillimisht kishte thënë se i ka numrat për kalim të Demarkacionit dhe më vonë e kishte tërhequr nga Kuvendit. Pastaj kishte thënë se demarkacionit do të procedohet në Kuvend të hënën, por një gjë e tillë nuk ka ndodh.