array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Mashtrimet me Brezovicën

Deklarata

Hashim Thaçi me 24.03.2014: Tani ne do të ndërtojmë qendrën më të mirë turistike. Projekti Brezovica do t’i krijojë 4000 vende pune për qytetarët e Kosovës.

Hykmete Bajrami: Kemi një investim shumë serioz. Parashihen të investohen 409 milionë euro. 165 milionë janë paraparë të investohen në 3 vitet e para.

Isa Mustafa: “Kjo flet se ne ngadalë po fitojmë besimin e investitorëve të jashtëm”.

 

Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Hykmete Bajrami

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Qendra e Brezovicës nuk është bërë. Nuk janë investuar 400 milionë euro dhe as nuk janë krijuar 4 mijë vende të reja të punës. Investime simbolike në Brezovicë ka bërë vetëm Serbia. Investitori ka dalë joserioz. Ai ishte kërcënuar nga Beogradi dhe nuk ishte mbrojtur nga Qeveria e Kosovës. Mjetet e investuara në këtë projekt, konferencat me investitorë nëpër vende të ndryshme kanë shkuar huq.

Artikulli

Qendra turistike nuk është bërë dhe në Brezovicë sot punojnë vetëm disa persona nëpër parkingjet dhe hotelet e stër-vjetruara që menaxhohen nga kompani që i japin llogari Serbisë dhe jo qeverisë së Kosovës. Hashim Thaçi, tash president i Kosovës, ka bërë premtime për Brezovicën derisa ishte kryeministër dhe kryetar i PDK-së gjatë fushatës parazgjedhore, por edhe gjatë kohës sa ka qenë zv. kryeministër në qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa. Asnjë nga premtimet e tij nuk janë realizuar.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka dështuar që ta jetësojë projektin e Brezovicës. Investitori ka dal të mos jetë serioz dhe në Brezovicë nuk është investuar asnjë cent. Investime ka bërë vetëm Serbia, e cila i kishte kërcënuar investitorët potencialë. Serbia madje ishte kujdesur për t’i trembur të gjithë investitorët potencialë.

Dështimi i konzorciumit francez për të gjetur partner në projektin e Brezovicës e ka demantuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Beogradi është kujdesur që ta frikësojë secilin investitor potencial të Brezovicës, duke ndikuar në fund që francezët të mos arrijnë t’i bindin bankat dhe kompanitë investuese të investojnë mjetet e tyre në Kosovë.

Historia e dështimit të Brezovicës

Qeveria e Kosovës e kishte proklamuar shumë projektin e Brezovicës si një nga investimet më të mëdha të huaja që do të ndodhte në Kosovë. Ishin premtuar 409 milionë euro investim në resortin e Brezovicës dhe punësimin e rreth 3000 mijë punëtorëve. Por, numri i punëtorëve ndërronte në vartësi të personave që flisnin për Brezovicën. Ish-kryeministri Thaçi, në vitin 2014 kishte thënë se në Brezovicë do të hapeshin 4 mijë vende të reja të punës, ndërsa vetë investitorët premtonin vetëm 3 mijë vende të reja të punës.

Projekti i Brezovicës është iniciuar në kohën e qeverisë Thaçi. Në vitin 2014, disa muaj para zgjedhjeve të 8 qershorit, ishte përzgjedhur kompania franceze “MDP Consulting” në konsorcium me disa kompani të tjera ishte përzgjedhur për realizimin e këtij projekti. Kjo kompani ishte e vetmja që kishte dorëzuar ofertë në tenderin e MTI-së.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi, i pari e kishte dhënë lajmin për pranimin e ofertës franceze për Brezovicën.

“Kosova ka aeroportin më të mirë dhe autostradën më të mirë në Ballkan! Tani ne do të ndërtojmë qendrën më të mirë turistike. Projekti Brezovica do t’i krijojë 4000 vende punë për qytetarët e Kosovës. Sot u takova me investitorë ndërkombëtarë për të siguruar ofertën më të mirë për Kosovën” ka qenë postimi i Hashim Thaçit me datën 24 mars të vitit 2014. Ky postim ishte përcjell me hashtagun #VendePune, pasi ishte kohë e fushatës për zgjedhjet e 8 qershorit dhe Thaçi po e promovonte programin e tij “Misioni i Ri”. Pastaj, në programin parazgjedhor të PDK-së ishte futur edhe projekti i Brezovicës.

Nënshkrimi i kontratës

Pas një krize disa-mujore, në dhjetor të vitit 2014 ishte krijuar qeveria e re me kryeministër Isa Mustafën (LDK) dhe zëvendës kryeministër Hashim Thaçi (PDK). Qeveria e re i kishte dhënë përkrahje projektit që ishte finalizuar nga qeveria e kaluar.

“Ky projekt ka filluar në vitin 2012, është një projekt i trashëguar nga qeveria e jonë. E kemi gjetur në fazën kur është pranuar vetëm një ofertë, është vendos që të vazhdohet me vetëm një ofertë dhe jemi në atë proces”, kishte thënë Hykmete Bajrami në emisionin Click të Rtv 21.

Projekti i Brezovicës është pjesë e programit qeveritar 2015-2018.

“Gjatë mandatit qeverisës, do të jetësohet Projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, i cili tashmë ka filluar, i klasifikuar si projekt me rëndësi kombëtare”, thuhet në programin e qeverisë.

Qeveria zotohet se do të punojë për avancimin dhe krijimin e kushteve për marrje me turizëm, ndërsa specifikisht përmendet shuma e investimeve në Brezovicë.

“Me fillimin e projektit të Brezovicës, në Kosovë do të hapen mbi 3000 vende të reja të punës, e në realizimin e këtij projekti, parashihen të investohen mbi 400 milionë euro”, thuhet në programin e Qeverisë 2015-2018.

Pas plotësimit të disa procedurave të parapara me dokumentet e projektit, Kontrata në mes të qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit francez ishte nënshkruar me 14 prill të vitit 2015. Me 14 prill të vitit 2015 ishte nënshkruar kontrata në mes të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në emër të qeverisë së Kosovës dhe Pascal Roux, nga konzorciumi “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit kishin qenë edhe kryeministri, Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi. Edhe pse kontrata ishte nënshkruar, ajo nuk kishte hyrë me automatizëm në fuqi pasi të dy palët nënshkruese kishin obligime shtesë për të plotësuar.

Investitori ishte obliguar që përveç masterplanit të dorëzojë edhe përmbylljen financiare të projektit, përkatësisht dëshmi se ka siguruar 167 milionë euro, mjetet e mjaftueshme për financimin e fazës së parë të projektit. Edhe qeveria obligohej që të finalizonte shpronësimin e pronave në të cilin parashihej të shtrihej projekti i Brezovicës. Fjalë miradije kanë folur për konzorciumin francezë të gjithë liderët.

Beogradi, katalizator i dështimit të Brezovicës

Përkundër nënshkrimit të kontratës, ajo nuk kishte hyrë në fuqi me automatizëm. Konsorciumi kishte kohë gjashtë muaj që t’i siguronte 167 milionë euro, të mjaftueshme për të finalizuar fazën e parë të projektit. Në dhjetor të vitit 2015, Komisioni Ndërministror konstatoi se konsorciumi ka dështuar t’i sigurojë mjetet e mjaftueshme. E një nga arsyet e dështimit u përmend edhe kriza politike, pas protestave të vazhdueshme të opozitës dhe gazit lojtsjellës në Kuvend për të kundërshtuar Asociacionin e Komunave Serbe dhe Marrëveshjen e për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi. 31 maji i vitit 2016 ishte caktuar si datë e fundit kur konsorciumi obligohej të dorëzonte në qeverinë modelin financiar, përkatësisht dëshminë se i ka të siguruar 167 milionë eurot e nevojshme për fazën e parë.

 

Letra e Marko GjuriqitMenjëherë pas vendimit të qeverisë për dështimin e projektit të Brezovicës, në media kanë rrjedhur dokumentet e propozuara nga investitori francezë. Aty konsorciumi tregon se si investitor me emër nuk kanë pranuar të investojë mjetet e tyre në Kosovë. Përveç kompanive të njohura në fushën e resorteve të skijimit, konsorciumi francez ishte arsyetuar se nuk ka arritur t’i bindë as kompanitë e rajonit dhe ato vendore. Përkundër këtij refuzimi nga shumë investitor, francezët kishin arritur të bindin kompaninë turke AkGirisim për t’u bërë aksionari kryesor i projektit. Edhe kompanitë të cilat kishin pranuar të përfshihen në projekt kishin pranuar letër kërcënuese nga Marco Gjuriq, shef I zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

“Ne ju inkurajojmë juve të shqyrtoni mënyra tjera të investimit në resortet ekzistuese të skijimit që operohen nga Kompanitë serbe, më mirë se të involvoheni në një projekt të njollosur politikisht që mund të përfundoj me veprime të pashembullta arbitrazhe të investimeve dhe që mund të shkaktoj rreziqe të mëdha legale dhe dëmtim të reputacionit, duke përfshirë vërejtje publike që mund të dërgohen tek institucionet relevante në shtetet ku ju veproni”, thuhet në letrën e Gjuriqit të cilën e ka adresuar tek të gjitha kompanitë e përfshira në konsorciumin për zhvillimin e resorit të Brezovicës.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe udhëheqëse e komisionit ndërministror të projektit të Brezovicës pas dështimit ka folur se projekti i Brezovicës do të rinis shumë shpejt duke u bazuar në ligjin për tërheqjen e investimeve strategjike. Mirëpo, projekti i Brezovicës më nuk është përmend gjatë vitit. Në ndërkohë, MTI-ja e ka iniciuar projektin tjetër të qendrës së skijimit në Bogë të quajtur Borea. E kanë mbajtur një konferencë të investitorëve, mirëpo ende nuk janë hapur procedurat e tenderimit për këtë projekt dhe as nuk është bërë ndonjë njoftim se qeveria ka nisur negociatat me ndonjë investitorë potencial.