Rritja Ekonomike Vetëm 3.4% në Vitin 2016

Vetëm 3 për qind ishte rritja reale ekonomike sipas qasjes së shpenzimeve në tremujorin e katërt të vitit 2016, për dallim nga tre tremujorët e tjerë të këtij vitit në të cilët ishte shënuar rritje mbi 3 për qind. Kjo rritje ekonomike është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës  në raportin për produktin vendor bruto në Kosovë për tre muajt e fundit të 2016-ës.

“Bruto Produkti Vendor në tremujorin e katërt të vitit 2016 shënon rritje reale për 3.0% në krahasim me TM4 të vitit 2015”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Ky publikim është i katërti i ASK-së për bruto produktin vendor (GDP) për vitin 2016.

Në tremujorin e parë (janar-mars) të vitit të kaluar, rritja reale e BPV-së ishte 3.6 për qind. Në tre muajt e dytë të vitit (prill-qershor) ishte një rritje prej vetëm 3.3 për qind, kurse në tremujorin e tretë (korrik- shtator) arrin në 3.8 për qind. Rritja më e vogël ekonomike është shënuar tre muajt e fundit (tetor- dhjetor) të vitit 2016 prej 3.0%.

Pra, në vitin 2016 kemi pasur një rritje mesatare ekonomike prej 3.4 për qind. Rritja ekonomike në vitin 2016, vitin e dytë të Qeverisë Mustafa është më e ulët se ajo që është shënuar në vitin 2015. Në vitin 2015, ekonomia e Kosovës ishte rritur për 4.1%.

Sipas aktivitetit ekonomik më shumë rritje kishte tek aktivitet financiare dhe të sigurimit.

“Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (23.5%); furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtimi i mbeturinave (10.7%); hotelet dhe restorantet (10.5%); bujqësia, gjuetia dhe pylltaria (9.2%); industria nxjerrëse (8.5%); tregtia me shumicë dhe pakicë (6.7%); transporti dhe magazinimi (3.8%); afarizmi me pasuri të patundshme (1.5%) dhe ndërtimtaria (0.7%).”

Me rënie ishte industria përpunuese.

“Ndërsa, rënie reale kishte te: administrimi publik (1.4%); industria përpunuese (2.8%) dhe shërbimet e tjera (15.6%)”, thuhet tutje në publikimin e ASK-së.

Sipas shpenzimeve, eksporti i mallrave dhe shërbimeve ishte timonier i rritjes.

“BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje të: eksportit të mallrave dhe shërbimeve (11.1%); formimit të bruto-kapitalit (8.3%); importit të mallrave dhe shërbimeve (3.5%); dhe te shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) (1.4%)”, thuhet në publikim. Agjencia e Statistikave thotë se shpenzimet e konsumit final të qeverisë ranë 2.2 për qind.

Ka qenë kryeministri Isa Mustafa i cili kishte këmbëngulur që rritja ekonomike në vitin 2016 ishte mbi 4 për qind.

“Në ekonomi kemi rezultate të prekshme, të vlerësuara nga institucionet ndërkombëtare dhe të vërtetuara me të dhëna reale pozitive. Edhe këtë vit presim rritje ekonomike mbi 4 %, më e madhja në rajon”, ka deklaruar Mustafa në konferencën e fundit për vitin 2016.

Mustafa e ka ripërsëritur të njëjtin qëndrim edhe në muajin shkurt, përkundër që i ka pasur të dhënat e ASK-së për rritjen ekonomike deri në fund të muajit shtator, që ishte 3.6%.

“Duhet të theksoj se në vitin 2015 dhe 2016, rritja reale e ekonomisë ka arritur në 4%”, ka thënë ai me datën 11 shkurt të vitit 2016.

Edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një postim në “Facebook”, ka thënë se rritja ekonomike në dy vjetët e kaluar (2015 dhe 2016) ka qenë mbi 4 për qind.