Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Të Lëvizim me Hapat Tonë drejt Ushtrisë

Presidenti Hashim Thaçi duke iu drejtuar studentëve të kolegjit UBT, foli edhe njëherë për nevojën e transformimit të FSK-së në ushtri.

“Ne duhet të lëvizim me hapat tonë. Ky proces është i pandashëm do të përmbyllet me sukses. Është i vonshëm, por duhet të ndodhë tani”, tha Thaçi.

Më 7 mars Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli Projektligjin për FSK-në që i jep kompetenca ushtarake kësaj force, ndërsa Kryesia e Kuvendit këtë projektligj më 8 mars ia dërgoi qeverisë për mendim.

Dy ministri-ajo e FSK-së dhe e Integrimit dhanë mendim pozitiv për projektligjin, ndërsa ka mbetur që këtë projektligj ta vlerësojë edhe Ministria e Financave.

NATO-ja dhe ambasada e SHBA-ve e kërkojnë transformimin e FSK-së me ndryshime kushtetuese për kjo gjë kërkon edhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve, ndërsa Lista Serbe nuk është e gatshme t’i votojë këto ndryshime kushtetuese.

Thaçi përsëriti para studentëve se krijimi i ushtrisë nuk duhet të varet nga disponimi i Beogradit, ndërsa konstatoi se deputetët e Listës Serbe nuk po guxojnë të votojnë

“[Deputetët e Listës Serbe] Nuk mund të votojnë dhe nuk guxojnë të votojnë nga Beogradi. Në moment që ndërkombëtarët mund të bindin Listën Serbe në sekondën e fundit shkojmë me ndryshime kushtetuese. Nëse do t’i bindte dikush duhet t’i bindja unë se i njoh personalisht, por deklarohen hapur që nuk guxojnë nga Beogradi me votu”, tha Thaçi.

Presidenti foli edhe për provokimet e Serbisë-trenin dhe murin. Tha se ttreni u ndal e muri u rrënua falë këmbëngulësisë së institucioneve të Kosovës.

Thaçi kërkoi edhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke kërkuar nga deputetët që kjo marrëveshje të kalojë në Kuvend për t’i hapur rrugë lëvizjes pa viza.

Duke folur për Këshillin për të Vërtetën dhe Pajtimin të cilin e themeloi, Thaçi u shfaq i bindur se pajtimi mes shqiptarëve e serbëve do të ndodhë.

“Mund të ndodhë e dhe e vërteta, mund të ndodhë edhe drejtësia, mund të ndodhë edhe pajtimi. Me këtë projekt nuk fitohet duartrokitje”, tha Thaçi.

Në fund pati reagime nga disa të pranishëm se nuk po u lejohet bërja e pyetjeve. Kur Thaçi u nis të dalë nga salla, nga këta persona ai u quajt “President i pronaos” dhe “President i gazit”.