Gjykata në Prizren

Të Dyshuarit nga Kukësi Paraburgim për Grabitje

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit B. Rr. nga fshati Gjinaj i Kukësit, Republika e Shqipërisë.

I pandehuri dyshohet se më 2 tetor 2014  në orën 03:57 minuta, në Rrugën,”Agron Bytyqi” me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze e përvetësoi pasurinë e luajtshme nga i dëmtuari J.B., me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.

“I pandehuri hyn i maskuar me armë në kazinon ‘Kajot’ së bashku me një person të panjohur i cili me vete kishte mjetin e rrezikshëm – thikën dhe duke e kërcënuar grabisin një shumë të konsiderueshme parash dhe një telefon mobil ‘Samsung’ dhe ikin nga vendi i ngjarjes,” tha zëdhënësja e gjykatës  Afërdita Kicaj.

Kicaj deklaroi se duke pasur parasysh peshën dhe pasojat që i ka kjo vepër penale, mënyrën dhe rrethanat nën të cilat është kryer ky veprim kundërligjor dhe ndodhjen e të dyshuarit në arrati, gjykata i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë veprim i pandehuri me iniciale B.Rr. dyshohet se ka kryer veprën penale , grabitje nga neni 329 paragrafi 3 për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe burg prej 7 deri në 12 vjet.