Shpresa Kurteshi, kryesuesja e re e Asamblesë Komunale të Gjilanit - Foto: Facebook

Shpresa Kurteshi-Emini Zgjidhet Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit

Në seancën e sotme Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka zgjedhur Shpresa Kurteshi-Eminin (LDK) si kryesuesen e re të Kuvendit, bën të ditur përmes një njoftimi Komuna e Gjilanit.

Për Kurteshin-Eminin, e cila e ka udhëhequr për një kohë të shkurtër Kuvendin Komunal edhe në mandatin e kaluar, tri herë e zgjedhur asambliste, kanë votuar 24 anëtarë të Kuvendit, 7 kanë votuar kundër, 2 kanë abstenuar, ndërsa një fletëvotim ka qenë i pavlefshëm.

Ajo ka qenë kandidate e vetme për këtë pozitë, të cilën e ka ushtruar për një kohë të shkurtër edhe në mandatin e kaluar, meqë subjektet tjera nuk kanë bërë asnjë kundërpropozim.

Kështu, Kuvendin Komunal në Gjilan do ta udhëheqë sërish një grua.

Kurteshi-Emini, e cila është zgjedhur për herë të tretë këshilltare komunale, ka thënë se është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka marrë dhe i ka ftuar të gjitha grupimet politike që të punojnë së bashku në realizimin e interesave të qytetarëve të Gjilanit, e bindur se bashkërisht mund të bëjnë shumë punë të mira.

Në këtë seancë, e dyta në këtë përbërje, Kuvendi ka miratuar edhe nismën e kryetarit të Komunës për ndryshim dhe plotësim të statutit. Kryetari Lutfi Haziri, i cili e ka arsyetuar këtë nismë të tij, ka thënë se ndryshimi dhe plotësimi i statutit të Komunës, është i nevojshëm për të bërë një riorganizim të ekzekutivit si dhe një ri-përshkrim të detyrave të punës për secilin zyrtar komunal, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit.

Përndryshe, Haziri ka thënë se ekzekutivi i Komunës do të jetë në funksion të plotë të zbatimit të ligjit dhe të vendimeve të Kuvendit Komunal, ndërkohë që është shprehur i bindur se Gjilani do të vazhdojë të jetë një Komunë shembull sa i përket bashkëpunimit në çështjet me interes për qytetarët.

Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit statutar dhe akte tjera normative, në përbërje prej shtatë anëtarëve: Arben Mehmeti (LDK), Gani Neziri (PDK), Nevzad Isufi (LVV), Anila Tusha-Kastrati (Nisma), Vjollca Matoshi (AKR), Arta Haziri-Nuhiu (AAK), Milivoje Stojanoviq (minoritetet).

Po ashtu, në këtë seancë, është miratuar edhe vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2018, prej shtatë anëtarësh: Shpresa Kurteshi-Emini (LDK), Arbëresha Kryeziu-Hyseni (LVV),Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK), Enver Hajrullahu (Nisma), Vjollca Matoshi (AKR), Kadir Hysein (minoritetet).

Është miratuar edhe vendimin për orarin e  mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve, për vitin 2018, ndërkaq vendimi për caktimin e numrit të anëtarëve të Komiteteve, është shtyrë për seancën e ardhshme, për t`iu dhënë kohë shefave të grupeve politike që të merren vesh rreth formulës së përfaqësimit në këto trupa komunale si dhe emrave të kandidatëve që do të propozohen.

Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 35 anëtarë që vijnë nga nëntë subjekte politike, përfshirë edhe komunitetet.