Foto: Komuna e Prishtinës

Shpend Ahmeti Prezanton Asamblistët, Premton ‘Qeverisje Stabile’ të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka prezantuar asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje të zgjedhur më 22 tetor, ende pa u bërë publikimi dhe certifikimi i rezultateve për asambletë komunale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Nga objekti i Komunës së Prishtinës, Ahmeti dha fjalë të mëdha për asamblistët e këtij subjekti politik duke thënë se kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje ka përfaqësimin e të gjitha moshave, e të gjitha lagjeve dhe po ashtu ka përfaqësim gjinor pa u nevojitur kuota.

Duke folur për projektet për katër vitet e ardhshme, Ahmeti tha se është i domosdoshëm Kuvendi Komunal për shkak të projekteve që ai synon t’i bëjë në mandatin e ardhshëm.

“Kjo neve do të na mundësojë që prioritetet që ne i kemi zgjedhur dhe kërkojnë kompanitë e ndërmarrjeve publike siç është rasti i “Pastrimit”, sikur se është rasti se do ta kemi stacionin e ri të autobusëve, reformën në trafikun urban e po ashtu edhe me punën që kemi filluar me ndërtesat kolektive në Prishtinë me rregullimin e hyrjeve, ashensorëve dhe shërbimeve të tjera për qytetin, Kuvendi Komunal është i domosdoshëm”, tha Ahmeti.

Ai nuk harroi të flasë edhe për garën për balotazh më 19 nëntor kur do të përballet me Arban Abrashin e LDK-së. Ahmeti tha se “tashmë gara nuk është në mes dy individëve por mes dy opsioneve, të ardhmes dhe të kaluarës”.

Kryetari Ahmeti tha se akoma nuk kanë një marrëveshje për qeverisje lokale, duke përmendur kështu subjekte politike në të cilat nuk u përmenden edhe LDK dhe PDK.

“Synojmë që të mbledhim rreth qeverisjes komunale ato subjekte që kemi qenë në koalicion po ashtu Lëvizjen për Bashkim dhe NISMA-n, ndërsa nëse ka edhe ndonjë përfaqësues të Alternativës synojmë t’i kemi në koalicion me ç‘rast synojmë të kemi një qeverisje stabile”, tha Ahmeti.

Gjatë kësaj konference, Ahmeti e prezantoi asamblistin Arben Vitia, drejtorin aktual të Shëndetësisë në komunën e prishtinës, të cilin e cilësoi si ndër kandidatët më të votuar në Kosovë.

Vitia kur mori fjalën tha se me koalicionet që kanë pasur në komunë, AKR-në dhe AAK-në, do të arrijnë 60 % të Kuvendit Komunal.

“Në katër vitet e ardhshme të mandatit kjo na lehtëson që me këta krahë që ka kërkuar Shpendi nga fillimi t’i realizojmë qind për qind edhe realizimet deri në vitin 2021”, deklaroi Vitia.

Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 22 tetor, Shpend Ahmeti mori 38 mijë e 294 vota apo 43,61% ndërsa Arban Abrashi mori 31 mijë e 428 vota apo 35,79%.