Naser Osmani, deputet i LDk-së - Foto: Facebook

Seanca Shtyhet me Kërkesën e të Akuzuarit Naser Osmani

Gjykimi ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmanit, është shtyrë me kërkesën e vetë të akuzuarit.

NDËRLIDHUR

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi gjyqtari Beqir Kalludra.

I akuzuari Osmani në mungesë të avokatit të tij, Besnik Berisha, kishte kërkuar të shtyhet seanca, kërkesë që u aprovua nga trupi gjykues.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të ndërmarrjes së re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN”, akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

11 Shtator 2017 - 16:41

Arita Gërxhaliu 11/09/2017 - 16:41
NDËRVEPRIMI0

Seanca Shtyhet me Kërkesën e të Akuzuarit Naser Osmani

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend