Ministrja Albena Reshitaj dhe kryetarët e komunave të Kosovës - Foto: MMPH

Reshitaj Kërkon nga Komunat më Shumë Angazhim në Çështjet e Mjedisit

Kosova ka ligje dhe akte nënligjore konform direktivave të Bashkimit Europian, por zbatimi i tyre nuk është në nivelin e duhur, ka thënë ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj në një konferencë me kryetarë të komunave të Kosovës, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me mbështetjen e OSBE-së.

Ministrja Reshitaj ka thënë se nga institucionet përgjegjëse nuk janë menaxhuar si duhet investimet në shumë projekte kapitale, prandaj ka kërkuar nga kryetarët e komunave që bashkërisht t’i shtyjnë proceset përpara.

Sipas një komunikate të MMPH, ministrja Reshitaj iu drejtua me porosi të qarta edhe kryetarëve të komunave me shumicë serbe, pjesëmarrës në këtë takim.

Ajo tha se mjedisi, natyra, është e përbashkët dhe e tillë duhet të trajtohet, andaj kërkoi që vullnetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë t’i bashkohen iniciativave për pastrimin dhe gjelbërimin e shtetit tonë.

“Më vjen keq për ata fëmijë që tani janë bërë burra e gra, që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë jetë të izoluar, me dhjetëra gjenerata që nuk kanë çfarë të kujtojnë nga fëmijëria e tyre pos urrejtjes, izolimit, mos qasjes në liri e integrim shoqëror”, citohet të ketë thënë ministrja.

Ajo i ka lutur kryetarët e komunave me shumicë serbe që që të punojnë të ndalet mbjellja e urrejtjes te fëmijët. “Ne jemi ata që më së miri i dimë pasojat sepse i kemi bartur vetë mbi supet tona”, ka thënë ajo sipas komunikatës së MMPH-së.

“Jemi ne ata që mund dhe duhet të fillojmë kthesën e proceseve në drejtim të duhur, andaj ju ftoj të gjithëve që bashkë të punojmë për ndërtimin, zhvillimin dhe integrimin e shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtarë”, ka theksuar ministrja Albena Reshitaj.