Milaim Zeka - Arkiv

Refuzohet Ankesa, Milaim Zeka Mbetet në Arrest Shtëpiak

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, duke e lënë atë edhe më tej në masën e sigurisë të arrestit shtëpiak.

Sipas një njoftimi nga kjo gjykatë thuhet se është refuzuar si e pa bazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Milaim Zeka kundër caktimit të masës së arrestit shtëpia prej 1 muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë

Caktimi i masës së arrestit shtëpiak ndaj Zekës është bërë pasi ky i fundit dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale se ka qenë pjesë e veprës penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale mashtrim, si dhe shmangie nga tatimi.

“Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës se parë, ka gjetur drejtë se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të lartcekura, ka bazë ligjor për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndaj tij, konform nenit 183 lidhur me nenin 187, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.1. dhe 1.2, pika 1.1.2 e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftim.

Milaim Zeka ishte arrestuar dy javë më parë nën akuzat për shmangie nga tatimi.