Salla e mbledhjeve | Foto: Kuvendi i Kosovës

BE Reagon ndaj Rezolutës që Kërkon Suspendimin e Dialogut

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj rezolutës së miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, ku ndër tjera kërkohet pezullimi i bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Në komunikatën e BE-së, e cila është e lëshuar nga Maja Kociancic, zëdhënësja e Federica Mogherinit, përfaqësueses së lartë për  Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, thuhet që ky vendim nuk i ndihmon procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

“Kërkesa për suspendimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Beogradit, e përfshirë në rezolutën të cilën e ka miratuar sot Kuvendi i Kosovës, nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve dhe nuk është në linjë me angazhimet e vazhdueshme që ka bërë Kosova”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet që progresi në dialog është kusht paraprak për avancimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.

“U  bëjmë thirrje liderëve politikë në Kosovë të vazhdojnë angazhimin konstruktiv ne dialog, t’i implementojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel deri tash dhe kështu të avancojnë në normalizimin e marrëdhënieve dhe perspektivën e saj ne BE”, thuhet në reagimin e BE-së.

Sot në Kuvendin e Kosovës u miratua me 78 vota për e 1 kundër rezoluta që kërkon lirimin e Ramush Haradinajt dhe pezullimin e dialogut të Brukselit mes Kosovës e Serbisë deri në këtë lirim.

http://kallxo.com/kuvendi-miratoi-rezoluten-per-haradinajn-2/