Iniciativa "Ta pastrojmë Kosovën" - Foto: KALLXO.com

KALLXO 360: Qytetarët Pastrojnë edhe Sivjet Kosovën

Në kuadër të iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot në gjithë vendin janë zhvilluar aktivitete me ç’rast është paraparë pastrimi i 150 deponimeve me mbeturina.

Hapja zyrtare e këtij aktiviteti u bë në Prishtinë, në lagjen “Kalabria”, ku qytetarët pastruan një vend që ishte shndërruar në deponi të egër të mbeturinave.

“Ta Pastrojmë Kosovën” dhe “Mos t‘shoh ma tu gjujt” kanë qenë sloganet e aktivitetit që ka bërë bashkë artistët, politikanët dhe qytetarët e Kosovës.

Koordinatori i kësaj iniciative, Luan Hasanaj, tha se qytetarët duhet që ta pastrojnë Kosovën çdo ditë.

“Aksione të tilla nuk duhet të ketë nevojë që të organizohen më tutje sepse kjo energji e të rinjve mund të orientohet diku tjetër dhe jo duke larguar mbeturinat”, tha ai.

Ministri Ferid Agani dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga duke mbledhur mbeturina - Foto: Facebook
Ministri Ferid Agani dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga duke mbledhur mbeturina – Foto: Facebook

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se qytetarët e Kosovës duhet që të mbajnë pastër hapësirat publike njësoj siç i mbajnë shtëpitë e tyre.

“Sot e kemi një dëshmi konkrete se qytetarët e Kosovë me arsye të plotë mund të quhen qytetarë evropianë sepse e kanë një shkallë të lartë të vetëdijes për t’u kujdesur për pastërtinë dhe ruajtjen e mjedisit”, tha ai.

Në mesin e personaliteteve që mori pjesë në këtë aktivitet ishte edhe ish-presidentja e vendit Atifete Jahjaga.

Ajo tha se aktivitetet e tilla janë shenjë e vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë që ka ambienti i pastër.

“Duhet ta ruajmë ambientin tonë dhe deponi të tilla të cilat i shohim sot këtu të mos bëhen edhe viteve të ardhshme”, tha ajo.

Për të ndihmuar qytetarët në mbledhjen e mbeturinave kanë dalë edhe pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilët ofruan edhe makineritë e tyre.

Gjenerali Zymer Halimi tha se FSK-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e aktiviteteve që janë për të mirën e Kosovës.

“Le të mos jetë vetëm një ditë apo vetëm ditë të caktuara por të kujdesemi çdo herë për pastërtinë dhe ruajtjen e ambientit”, tha ai.

Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” ka nisur në vitin 2012.

Aksione të tilla për të larguar mbeturinat iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” kishte ndërmarrë edhe për Ditën Ndërkombëtare të Tokës, kur kishin larguar mbeturinat nga një lokacion në lagjen “Mati 1”.

http://kallxo.com/mbeten-shqetesuese-mbeturinat-ne-kosove/