ARKIV - Nenad Rikallo

Prokuroria: Nuk Ka Prova për Rikalon

Prokuroria Speciale e Kosovës tha sot se në bazë të hetimeve preliminare të zhvilluara ndaj Ministrit të Bujqësisë të Kosovës, nuk ka gjetur prova për përfshirjen e tij në akuzat për të cilat dyshohej.

“Në bazë të rezultatit të hetimit preliminar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale për krime lufte. Në rast paraqitjes eventuale të provave të reja prokuroria mund të hapë një hetim të ri”, tha Prokuroria në një deklaratë.

Hetimi ndaj Rikalos ishte hapur muajin e kaluar në bazë të raportimeve të mediave lidhur me pohimin e disa qytetarëve nga lagja “Dardania” në Prishtinë, për keqtrajtimet nga ministri i bujqësisë, Nenad Rikalo gjatë luftës në Kosovë.

Pas këtyre raportimeve, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave të nevojshme.