Memli Krasniqi, PDK

Krasniqi: Akuzat e Kohës së Luftës Duhet të Shqyrtohen pa Përjashtime

Në interpelancën e kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike, që kryeministri Haradinaj të përgjigjet akuzave publike ndaj ministrit të bujqësisë Nenad Rikalo, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se akuzat që lidhen me kohën e luftës në Kosovë duhet të shqyrtohen duke mos bërë asnjë përjashtim.

Sipas Krasniqit, kushdo që ka informacione sidomos të kohës së luftës duhet t’i ofrojnë ato në organet e drejtësisë.

“Rikalo ka qenë i aktivizuar në jetën publike gjatë gjithë këtyre viteve, nuk është shfaqur sot në publik, ka bashkëpunuar me shumë njerëz që janë pjesë edhe e këtij kuvendi. Çfarëdo hetimi për deklarimet tashmë publike duhet të bëhet nga organet e drejtësisë”, tha Krasniqi.

“Askush nuk mund të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës nëse ka qenë i përfshirë në krime apo veprime anti – ligjore ndaj qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

“Ne shpresojmë se ky proces do të p[përfundojë sa më shpejt. Jemi dëshmitarë se në vendin tonë janë kryer procese gjyqësore edhe ndaj ushtarëve dhe udhëheqësve të UÇK, madje pa akuza për pjesëmarrje në dhunë”, tha Krasniqi.