Gjykimi për falsifikim parash | Foto: KALLXO.com

Pranojnë Fajësinë për 1,700 Eurot False të Deponuara në Bankë

Muhamet Ajazi dhe Hajredin Ahmeti pranuan fajësinë përmes lidhjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë për veprën penale falsifikimi i parasë.

Sipas aktakuzës, gjatë intervaleve të ndryshme kohore në janar të këtij viti, të akuzuarit Ajazi e Mehmeti kanë deponuar para të falsifikuara në bankomatin e bankës “Pro-Credit” në Prishtinë, në shumë totale prej 1,700 eurove.

Prokurori Kujtim Munishi kishte hyrë në marrëveshje me dy të akuzuarit për pranimin e fajësisë.

“Qëndrojmë pranë marrëveshjes të cilën e kemi lidhë. I kemi njoftuar të pandehurit për pasojat e pranimit të fajësisë. Të njëjtit me vullnet të plotë e kanë nënshkruar marrëveshjen”, tha Munishi.

Gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes mbrojtësve të të akuzuarve dhe prokurorit të shtetit.

Avokati mbrojtës, Gani Hoxha, kërkoi nga trupi gjykues që të e lirojë nga paraburgimi të mbrojturin e tij Muhamet Ajazi, pasi që sipas tij shkaqet për një veprim të tillë kishin pushuar.

“I propozoj kryetarit të trupit gjykues ta shqyrtojë edhe njëherë çështjen e masës së sigurisë dhe t’i ndërpritet menjëherë paraburgimi, bazuar edhe në marrëveshjen e pranimit të fajësisë dhe se tanimë kanë pushuar të gjitha shkaqet dhe arsyet ligjore për të cilat i është caktuar paraburgimi”, tha Hoxha.

Kësaj kërkese iu bashkua edhe Hashim Loshi, mbrojtësi i të akuzuarit Hajredin Ahmeti.

Propozimet e avokatëve mbrojtës u aprovuan nga gjytari Beqir Kalludra.

“Aprovohet ndërprerja e menjëhershme e paraburgimit, ashtu që të njëjtëve kjo masë iu ndërpritet sot dhe tani e tutje mbrohen në liri”, tha Kalludra.

E në fund, u bë edhe shpallja e aktgjykimit, me ç’ rast të akuzuarve iu shqiptua dënim me burgim prej 180 ditësh, ditë këto të cilat me pëlqimin e të akuzuarve do të shndërroheshin në dënim me gjobë, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e arritur me prokurorin Kujtim Munishi.