Në Prishtinë zbulohet punëtoria e prodhimit të parave të falsifikuara

Policia e Kosovës ka arrestuar një person që dyshohet se ka falsifikuar para.

Sipas njoftimit të Policisë, personi dyshohet se ka falsifikuar bankënota të 5 eurove, 10 eurove dhe 20 eurove.

Policia e Kosovës përmes rrugëve operative kishte marrë informacione se i dyshuari me inicialet L.A. ishte duke përgatitur falsifikimin e 50 mijë eurove.

“Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, ku dhe është kuptuar se personi i dyshuar me inicialet L. A. është në përgatitje të një shume prej 50.000 euro para të falsifikuara, për t’i lëshuar në treg”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë realizimit të kontrollit në lokacionin e dyshuar Policia ka gjetur një printer me 5 euro të ngjitura në faqen printuese, 65 copa letër A4 me para të falsifikuara në të dy anët.

“Një printer së bashku me pesë (5) euro të ngjitura në faqen printuese, Gjashtëdhjetë e pesë (65) copa letër A4 me  para të falsifikuara në të dy anët, Dyqind e dy (202) copa letër A4 me nga pesë (5) euro në të dy anët, Katër dhjetë e katër (44) kartëmonedhë nga 20 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, Shtatëdhjetë e katër (74) kartëmonedha nga 10 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, Njëqind e gjashtëdhjetë  (160) kartëmonedha nga 5 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, Një (1) kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar, Foli me shenjë të sigurisë së parave dhe Dy telefona celular”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pas kontrollit i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është intervistuar,  në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë.