Policia Rrugore e Shqipërisë - Foto: Facebook

Policia e Tiranës Konfiskon 89 Patentë Shoferë

89 leje drejtimi janë konfiskuar, 10 shoferë që vozisnin nën ndikimin e alkoolit janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës.

“Policia Rrugore e Tiranës, në përmbushje të objektivit parësor për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë dhe jo atë të sasisë së masave administrative, nën moton “Alkooli dhe Shpejtësia marrin jetë”, gjatë fundjavës ka ushtruar një sërë kontrollesh në autostradë dhe në akset rrugore në brendësi të Tiranës”, thuhet në njoftim e Policisë Rrugore.

Në çdo fund javë Policia Rrugore e Tiranës ushtron kontrolle me radar për të matur shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve.

“Në të gjitha rrugët e Tiranës janë ushtruar kontrolle me Drager, për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma, në gjendje të dehur, duke u kthyer në rrezik për jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh, pasi këta të fundit kanë drejtuar automjetet e tyre nën ndikim të alkoolit.

29 leje drejtimi janë konfiskuar për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, 47 leje janë konfiskuar për shpejtësi përtej normave të lejuara dhe 13 leje janë marrë për shkelje të tjera të parashikuara nga kodi rrugor.

Po ashtu gjatë 48 orëve të fundit, Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ku janë vendosur gjithsej 898 masa administrative.

“87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 85 masa për parakalim të gabuar, 98 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 10 masa për mosrespektim të sinjalistikës së semaforit, 60 masa për ata që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe 11 pa kontroll teknik të mjetit, 568 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, janë masat që ka marrë policia e trafikut të Tiranës.

Sipas njoftimit Policia Rrugore e Tiranës, edhe në ditët në vijim, do vijojë kontrollet me intensitet, për të evidentuar dhe ndëshkuar çdo shkelës të Kodit Rrugor, për të përmbushur objektivin parësor, atë të rritjes së parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.