Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Policët e Dënuar për Ryshfet Kërkojnë Pafajësinë në Apel

Gjykata e Apelit e ka shqyrtuar ankesën e dy zyrtarëve policorë Tafa Murseli dhe Arben Shala të dënuar për marrje ryshfeti nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Zyrtarët policorë Tafa Murseli e Arben Shala janë shpallur fajtorë për veprën penale marrje ryshfeti nga gjykata e shkallës së parë dhe të njëjtit janë dënuar me nga 6 muaj burg, të cilin dënim gjykata ua  ka mundësuar ta kthejnë në gjobitje duke paguar kështu shumën prej 3600 eurove secili veç e veç.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, të dy mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas mbrojtësit të Tafa Murselit, avokatit Sevdali Zejnullhu, rasti i dy zyrtarëve të policisë nuk ka të bëjë aspak me keqpërdorim të detyrës zyrtare andaj kërkoi nga kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit që të marrin një vendim meritor në raport me të akuzuarit.

Avokati i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet apo që lënda të kthehet në rigjykim sepse sipas tij nuk është vërtetuar se Tafa Murseli e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

“Në shkresa të lëndës gjenden edhe fotokopje e disa valutave prej 50 eurove kinse janë kërkuar nga të mbrojturit tonë e që ajo në realitet as nuk është realizuar, do të thotë kjo nuk është përmend askund. Është fakt, është rrethanë e cila dëshmon se nuk ka pasur të bëjë fare me keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk kemi çka themi më tepër se çka është thënë në ankesë, presim një vendim meritor nga ju”, deklaroi avokati Sevdali Zejnullahu.

Kurse mbrojtësi i Arben Shalës, avokati Ibrahim Dobruna aktgjykimin e nxjerrë nga gjykata themelore e quajti të kundërligjshëm.

Sipas avokatit përgjimet të cilat janë marrë nga i mbrojturi i tij kanë qenë të paautorizuara dhe se gjykata e shkallës së parë me aktgjykim nuk ka arritur të vërtetojë asgjë, pasi që mungon elementi kryesor i veprës penale që është dashja.

“Përgjimet nuk kanë qenë të autorizuara, e sa i përket dashjes mungon elementi kryesor i dashjes. Kurse çka është me e rëndësishmja arsyetimi i aktgjykimit i cili është i zbehtë i cekët dhe nuk mund të vërtetojë asgjë”, deklaroi avokati Dobruna.

Avokti Dobruna deklaroi se janë të evidentuara provat që dëshmojnë se dy të akuzuarit kanë ushtruar kallëzim penal në lidhje me aksidentin që kishte ndodhur dhe se në bazë të kallëzimit penal dhe vendit të ngjarjes dyshohet se aksidentin e kishte shkaktuar i dëmtuari S.D. për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe vozitjes në gjendje të dehur.

Avokati Dobruna deklaroi se qëndron prapa ankesës së paraqitur dhe se i propozon gjykatës që pas shqyrtimit të ankesës ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe të mbrojturin e tij Arben Shala ta lirojë nga përgjegjësia penale.

Kurse prokurori i Prokurorisë së Apelit, Sabri Ademi kërkoi nga gjykata që të mos marrë për bazë ankesat e mbrojtësve pasi që sipas tij nuk qëndrojnë dhe janë të pa bazuara.

“Kësaj gjykate ia kemi dorëzuar vendimin me shkrim me të cilin kemi propozuar që ankesat e mbrojtësve të merren si të pabazuara. Ankesat janë të pabazuara. Meqë nuk ka çka të shtoj jashtë asaj që i kemi dorëzuar gjykatës, propozoj që ankesat e mbrojtësve t’i konsiderojë si të pabazuara sepse nuk qëndrojnë”, deklaroi prokurori Ademi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte zyrtarët policorë Tafa Murseli dhe Arben Shala se në shkurt të vitit 2014 në Rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, atë ditë këta dy zyrtarë policorë pranuan ryshfetin prej 100 eurosh nga S. B. që të mos hapin rast penal ndaj tij.

S. B. në shkurt të vitit 2014 teksa po voziste në gjendje të dehur kishte shkaktuar aksident në Prishtinë.

http://kallxo.com/denohen-policet-moren-ryshfet-nje-shoferi-te-dehur/