Philips: Kujdes nga Miqtë e Rrejshëm

Profesori dhe eksperti i të drejtave të njeriut nga Universiteti amerikan i Kolumbias, David Philips, ka porositur kosovarët dhe perëndimorët që të afrohen më shumë në mënyrë që ta largojnë ndikimin turk nga vendi.

Në një konferencë kushtuar parandalimit të ekstremizmit fetar të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Philips tha se kosovarët duhet të kenë kujdes nga ata që ai i quajti “miq të rrejshëm”.

“Keni kujdes nga miqtë e rrejshëm. Një nga arsyet se pse të rinjtë i drejtojnë sytë kah feja është se ata mendojnë se kanë mungesë të mundësive dhe kjo është për shkak të izolimit të Kosovës. Është me rëndësi që SHBA-të të jenë më afër Kosovës dhe po ashtu Kosova të jetë e integruar në institucionet evropiane. Evropa duhet të bëjë më shumë për Kosovën. Në fund dua t’u jap një paralajmërim për miqtë e rrejshëm. Agjenda e Turqisë këtu ka të bëjë me agjenda të cilat janë të partisë së Erdoganit dhe e kanë një qëllim të çojnë një agjendë të përhapjes së islamit politik. Keni kujdes nga miqtë e rrejshëm”, ka thënë Philips.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci tha se Kosova  ka një sistem arsimor të decentralizuar i cili, sipas tij, nuk mundëson luftimin e ekstremizmit

“Ne kemi politika që i kundërvihen ekstremizmit në aspektet e sigurisë në sistemin e drejtësisë, por në arsim kjo nuk është identifikuar si problem dhe sistemi i arsimit nuk është marrë me këtë çështje”, tha Pupovci

Arben Çejku drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë tha se ky debat është krijuar më shumë për kërkimin e gjetjes së rekomandimit sa i takon fushës së arsimit në raport me ekstremizmin e dhunshëm

“Në vitin 2015 nga Shqipëria nuk ka shkuar asnjë qytetar në Siri. Edukimi fetar në Shqipëri është një debat që një kohë të gjatë. Ky debat në fakt është iniciuar nga qeveria dhe ende nuk ka një vendim final se çfarë do të ndodh për lëndën e edukimit fetar”, tha Çejku

Ai shtoi se Shqipëria ka një ambicie për të krijuar një qendër rajonale të edukimit edhe në kuadër të NATO-s.

Çejku shtoi  se mediat ndërkombëtare kanë fokus Kosovën dhe lidhjen e saj me radikalizmin

“Mediat ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare kanë fokusin tek Kosova tek shqiptarët dhe lidhja me radikalizmin tregon që ne si shoqëri në tërësi duhet të nxjerrim thelbin e këtij shqetësimi dhe të marrim masa për t’u ballafaquar me këtë sfide”, shtoi në fund Çejku.