PDK: Shpend Ahmeti Kryetar i Rrjeteve Sociale

Sekretari i Degës së PDK-së në Prishtinë Bujar Canolli sikur të shtunën që shkoi, edhe sot foli për punësimet me kontratë në vepër në Komunën e Prishtinës.

Punësimet e tilla bëhen për kryerjen e shërbimeve të veçanta, ndërsa të punësuarit me kontratë mbi vepër nuk mund të punojnë më shumë se 120 ditë në komunë.

Canolli i Degës së PDK-së në Prishtinë të shtunën e kaluar po në një konferencë për shtyp tha se auditori i përgjithshëm në raportin për Prishtinën të vitit 2015 ka evidentuar 276 të punësuar të paligjshëm që ai i quajti militantë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Këtij pretendimi, Shpend Ahmeti iu përgjigj nëpërmjet një sqarimi në Facebook, duke mohuar se të punësuarit me kontratë për shërbime të veçanta janë aktivistë të Vetëvendosjes.

Ahmeti tha se për këto punë komuna ka kontraktuar këngëtarë e artistë në manifestimet e organizuara prej saj, arkitektë për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe punëtorë të kuzhinës për përgatitjen e ushqimit nëpër institucionet parashkollore.

http://kallxo.com/pdk-ja-komuna-e-prishtines-puneson-militante-te-vv-se/

Por në konferencën e sotme,  sekretari i Degës së PDK-së në Prishtinë Bujar Canolli tha se shumica e tyë punësuarve me kontratë në vepër janë aktivistë të “Vetëvendosjes”.

“Në listat e publikuara ditë më parë është e vërtetë që ka pasur edhe emra nga fusha të ndryshme të kulturës, artit… ne e kemi parë këtë mirëpo për shkak të transparencës dhe korrektësisë nuk kemi dashur të ndërhyjmë në këto lista. Por jemi të bindur se pjesa dërrmuese e emrave që janë publikuar janë militantë të ‘Vetëvendosjes’ të punësuar në Komunën e Prishtinës në mënyrë të kundërligjshme,” tha Canolli.

Ai më tutje e quajti Shpend Ahmetin kryetar të rrjeteve sociale.

“Shpend Ahmeti është duke hyrë në vitin e fundit të karrierës së tij si kryetar i Prishtinës dhe për këto tre vjet do të mbahet mend vetëm si kryetar i bllokimit dhe kryetar i Facebookut apo rrjeteve sociale,” tha Canolli.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti duke komentuar konferencën e PDK-së paralajmëroi edhe njëherë ngritjen e padisë.

“Kjo është tentim i zvarritjes së një shpifjeje që klani pronto po mundohet me bo në kohën kur po kuptohet kapja e shtetit në esencë.  Padia ashtu ashtu është në përgatitje e sipër për ta,” tha Ahmeti.

Canolli nga PDK-ja thotë se edhe aktivistët e “Vetëvendosjes” e gëzojnë të drejtën e punësimit.

“Ne nuk e kemi thënë që nuk e gëzojnë të drejtën për t’u punësuar, por kemi thënë që ky punësim është në kundërshtim me rregulloren,” sqaroi Canolli.