Foto: Kallxo.com

PDK Kërkon Frymë Mirëkuptimi me Partitë Parlamentare

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të rikthehet në seancë vetëm pasi të arrihet një frymë mirëkuptimit në mes të gjitha partive.

Këtë qëndrim e ka dhënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në një konferencën për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.

“Ne jemi të vendosur për të vijuar seancën konstituive, pasi të arrihet një frymë mirëkuptimi nëpërmjet konsultimeve partiake paraprake”, tha Deliu. “PDK bën thirrje për t’iu kthyer sa më shpejt frymës institucionale dhe ligjore në mënyrë që të ndërtojmë institucione demokratike sa më të shëndosha të mbështetur në frymën e ligjit”.

Ajo ka thënë se PDK-ja është partia më institucionale, ndërsa ka dhënë vlerësime edhe për partitë e opozitës.

“Janë ata që për interesa të ngushta partiake kanë bllokuar institucionet për gjashtë muaj rresht në vitin 2014 duke e shkelur edhe Kushtetutën”, tha ajo.

Ajo tha se qytetarët e dinë se cilët aktorë politikë i kanë sulmuar institucionet.