Zyrat e PDK`së, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

PDK: ‘Aksionet Paramilitare Degraduan Sigurinë’

Partia Demokratike e Kosovës në reagimin për arrestimet e sotme thotë se nga sulmet e fundit kanë cenuar lirinë e qytetarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë kundër të gjithë atyre që nëpërmjet metodave dhe aksioneve paramilitare kanë degraduar sigurinë në vend dhe kanë cenuar lirinë e secilit qytetar të Kosovës,” thuhet në reagim.

Sipas reagimit ngjarjet e sotme kur u arrestuan gjashtë persona për sulmin në Kuvend, PDK-ja i ka ndjekur me shqetësim.

“Partia Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh i ka përcjellë ngjarjet e sotme, ku zyrtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar me dyshime në lidhje me sulmet e armatosura kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, konkretisht Kuvendit të Republikës së Kosovës,” vijon reagimi.

Ky subjekt thotë se do të kundërshtojë forcat destabilizuese.

“Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe dhe me besimin më të madh të qytetarëve në vend, do të kundërshtojë fuqishëm forcat destabilizuese dhe do të jetë garant e funksionimit të shtetit të pavarur dhe sovran. Çdo veprim që bie ndesh me ligjin, që cenon lirinë, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, do të jetë i dënueshëm,” thuhet në reagim.