Pamje nga seanca e djeshme në rastin e të akuzuarit për plagosjen e policit austriak, Himë Lufajt - Foto: KALLXO.com

Paguhen 20 Mijë Eurot e Dorëzanisë, Lirohet nga Paraburgimi Himë Lufaj

Gjykata e Pejës dje gjatë seancës së shqyrtimit te dytë fillestar kishte kërkuar 20 mijë euro dorëzani për lirimin e Himë Lufajt nga paraburgimit.

Himë Lufaj akuzohet se në vitin 2009 në Vjenë të Austrisë ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë ndaj një zyrtari policor austriak.

Pagesa prej 20 mijë eurove është kryer dje në orët e pasdites, kurse i akuzuari Himë Lufaj është liruar nga paraburgimi.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, avokati i të akuzuarit Himë Lufaj, Gëzim Kollçaku.

Ai tha se tashmë i mbrojturi i tij është liruar nga paraburgimi, pasi është kryer shuma e pagesës s[ dorëzanisë e kërkuar nga Gjykata e Pejës.

Himë Lufaj është vëllai i Ilmi Lufajt, i cili u vra me armë zjarri vitin e kaluar në qendër të Deçanit nga rreshteri policor Shefqet Kameraj.

Rreshteri policor për ketë vrasje u dënua fillimisht me 13 vjet burg, kurse Gjykata e Apelit ia kishte rritur në 16 vjet vuajtjen e dënimit.

Ekskluzive: Arsyetimi i Apelit për Dënimin e Shefqet Kamerajt

KALLXO.com raportoi për arrestimin e Himë Lufajt nga Policia e Kosovës në muajin maj të këtij viti në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

http://kallxo.com/arrestohet-hime-lufaj-kerkuar-nga-interpol/

Sipas aktakuzës, Himë Lufaj, në vitin 2009, në Vjenë të Austrisë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta një zyrtar policor austriak, duke e goditur dy herë me thikë, një herë në krah dhe herën e dytë në anën e majtë të gjoksit, afër zemrës, duke i shkaktuar lëndime trupore të cilat në momentin e shkaktimit kanë qenë të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.