Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Kërkon 20 Mijë Euro Dorëzani për Lirimin e Himë Lufajt nga Paraburgimi

Gjykata e Pejës ka kërkuar 20 mijë euro dorëzani për heqjen e masës se paraburgimit ndaj të akuzuarit Himë Lufaj.

Himë Lufaj akuzohet se në vitin 2009 në Vjenë të Austrisë ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë ndaj një zyrtari policor austriak.

KALLXO.com raportoi për arrestimin e Himë Lufajt nga Policia e Kosovës në muajin maj të këtij viti në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.

Në seancën e shqyrtimit të dytë fillestar në Gjykatën Themelore të Pejës, avokati i Lufajt, Gëzim Kollçaku, ka kërkuar nga Gjykata heqjen e masës së paraburgimit.

Avokati Kollçaku tha se i ka dorëzuar Gjykatës prova se Himë Lufaj nuk ka qenë asnjëherë në arrati.

“I kam dorëzuar Gjykatës dy raportet mjekësore të Spitalit Rajonal të Pejës, si dhe një dënim të gjobës së trafikut ndaj tij nga Policia, ku dëshmohet se i pandehuri nuk ka qenë në arrati”, tha avokati Gëzim Kollçaku.

Avokati i Himë Lufajt po ashtu theksoi se dje ndaj klientit të tij është zhvilluar edhe një procedurë penale në Gjykatën e Pejës, me ç’rast është dënuar me gjobë për shkaktim të lëndimeve të lehta trupore.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, tha se zyrtarisht kanë kërkuar nga Policia e Pejës se a ka qenë i proceduar Himë Lufaj në cilësi të dëshmitarit apo të dyshuarit në Stacionin Policor të Pejës.

Gjyqtari Radoniqi tha se kanë pranuar përgjigje nga Policia e Pejës lidhur me kërkesën e parashtruar rreth kësaj çështjeje.

“Policia e Pejës në përgjigje ka theksuar se Himë Lufaj është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në vitin 2015. Gjithashtu nga përgjigja e Policisë se Pejës thuhet se Himë Lufaj ka qenë i intervistuar si dëshmitar në vitin 2016”, tha gjyqtari Radoniqi.

Lidhur me kërkesën për heqjen e masës së paraburgimit duke e zëvendësuar atë me dorëzani, prokurori i rastit, Agron Galani, tha se këtë çështje ia lë në vlerësim trupit gjykues.

Tutje, kryetari i trupit gjykues mori aktvendim për heqjen e masës së paraburgimit me zëvendësim të masës se dorëzanisë në vlerë prej 20 mijë eurove.

“Aprovohet kërkesa e mbrojtësit, avokatit Gëzim Kollçaku. I ndërpritet masa e paraburgimit me masën e dorëzanisë në shumë prej 20 mijë eurove”, tha gjyqtari.

Trupi gjykues në aktvendimin e marrë tha se përveç të akuzuarit këtë shumë mund ta paguajnë familjarët e tij apo edhe avokati mbrojtës.

Po ashtu u tha se të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në momentin e pagesës së dorëzanisë.

Gjatë seancës se shqyrtimit të dytë fillestar, avokati Gëzim Kollçaku tha se ka parashtruar me shkrim kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Ai tha se ka pranuar edhe dy prova të reja të ekspertizës së ADN-së, që sipas tij, dëshmojnë pafajësinë e Lufajt.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Agron Galani, tha se mbetet pranë përgjigjeve të parashtruara me shkrim për kundërshtimet e palës mbrojtëse.

Himë Lufaj është vëllai i Ilmi Lufajt, i cili u vra me armë zjarri  vitin e kaluar në qendër të Deçanit nga rreshteri policor Shefqet Kameraj.

Ekskluzive: Arsyetimi i Apelit për Dënimin e Shefqet Kamerajt

Sipas aktakuzës, Himë Lufaj, në vitin 2009, në Vjenë të Austrisë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta një zyrtar policor austriak, duke e goditur dy herë me thikë, një herë në krah dhe herën e dytë në anën e majtë të gjoksit, afër zemrës, duke i shkaktuar lëndime trupore të cilat në momentin e shkaktimit kanë qenë të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.