OSBE Kërkon Falje për ‘Fletushkën Ofenduese’

Fletushka e cila shërbente si material informacioni për serbët e Kosovës për zgjedhjet presidenciale të Serbisë që u mbajtën të dielën e kaluar shkaktoi reagime të shumta në opinion, sapo ajo u përhap në mediat sociale.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar votimin e serbëve në Kosovë në këto zgjedhje në atë që u quajt “operacion i grumbullimit të votave” në bazë të një marrëveshjeje të arritur javën e kaluar me qeverinë e Kosovës.

Duke e publikuar këtë fletushkë, kryeredaktorja e “Zërit”, Arbana Xharra kritikoi gjuhën e përdorur nga ky Mision në një fletushkë të veten.

“OSBE për zgjedhjet e Serbisë neve na referohet “Kosova dhe Metohia”. Ne dokumentin e saj zyrtar përdorë edhe gjuhë raciste “Cigan Mahalla”. Kosova duhet të reagojë zyrtarisht ndaj kësaj qasje të OSBE-së e cila e konsideron ende Kosovën pjesë të Serbisë”, tha Xharra në Facebook.

Por OSBE thotë se gabimi ka qenë i paqëllimshëm.

Fletushka e OSBE-së me përmbajtje ofenduese për shqiptarët e Kosovës. Foto: Arbana Xharra/Facebook

“Misioni i OSBE-së në Kosovë dëshiron të kërkojë falje për prodhimin e paqëllimshëm të një fletushke informuese me përmbajtje të papërshtatshme dhe ofenduese, të përdorur së fundmi në kontekst të operacionit të grumbullimit të votave”, tha Misioni sot në një deklaratë.

“Përmbajtja ishte rezultat i një gabimi njerëzor i cili ndodhi në kontekst të një operacioni kompleks dhe urgjent dhe në asnjë mënyrë nuk ka nënkuptuar qëndrimet apo politikat e Misionit të OSBE-së”, tha Misioni i OSBE-së, i cili ruan politikën e “neutralitetit ndaj statusit” të Kosovës për shkak se shumë vende anëtare të organziatës nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Misioni shpreh thellësisht keqardhje për këtë lëshim dhe u kërkon falje të gjithë atyre që janë ofenduar nga kjo”, thuhet në deklaratën e Misionit të OSBE-së.