Mustafa: Arritëm ta Mbrojmë Sovranitetin Përballë Provokimeve

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, në interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa tha se sot ky debat e gjen Kuvendin më të relaksuar pas shqetësimeve të kohëve të fundit për ngjarjet në veri.

Sipas Pajazitit, tash nuk është muri në Mitrovicën e Veriut dhe ana pozitive është që u rrënua nga vetë ata që e ndërtuan.

Ai theksoi se dialogu nuk ka alternativë. “Të gjithë duhet t’i japim shansin e merituar dialogut sepse vetëm kështu mund të zgjidhen problemet”, theksoi ai.

Deputeti Pajaziti shfaqi shpresën se nga kjo seancë do të dalin të bashkuar, sikur më 21 prill 2013, në seancën ku iu dha mbështetje dialogut.

Ai i ftoi kolegët serbë që janë përfaqësues në Kuvend, Qeveri e institucione të tjera të kthehen në punën e tyre, duke nënënvizuar se ajo që ka ndodhur në veri ka qenë më shumë kërcënim për serbët dhe mbylljen e tyre atje.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se partia e tij vazhdimisht e ka shprehur brengosjen dhe përkushtimin për përmirësimin e gjendjes në veri.

“Kemi kërkuar që në veri të funksionojnë të gjitha institucionet e Republikës e të ushtrohet sovraniteti shtetëror. Ka përparime që nuk mundemi t’i mohojmë. Këndvështrimi natyrisht që është i ndryshëm me opozitën. Ne shohim ndryshime si rezultat i dialogut të Brukselit”, tha Beqiri.

14:30

Qeveria e Kosovës me të gjitha institucionet e vendit arritën ta mbrojnë sovranitetin e vendit përballë provokimeve destabilizuese, tha kryeministri Isa Mustafa në interpelancën e kërkuar nga deputeti Rexhep Selimi dhe 14 deputetë të tjerë për situatën e krijuar në Mitrovicë.

Po ashtu, kryeministri Mustafa theksoi se institucionet e vendit kanë bërë të gjitha përpjekjet për të dëshmuar se fletarresti i lëshuar për Ramush Haradinajn është politik dhe joligjor.

Më 5 shkurt, tha shefi i Qeverisë, e hoqëm murin ilegal në Mitrovicë. “Tashmë ka filluar ndërtimi i sheshit në bazë të ligjeve të Kosovës, për herë të parë në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës së Veriut”, theksoi ai.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë do të bëhet pas shuarjes së strukturave paralele, ndaljes së ndikimit të Serbisë në Kosovë dhe njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai theksoi se Kosova ka arritur ta shtrijë sovranitetin në veri në këto fusha: siguri, doganë, administratë tatimore. “Kemi arrit marrëveshjen për drejtësi që do të zbatohet së shpejti”, theksoi Mustafa.