Ministri Valdrin Lluka në gjyq - Foto: KALLXO.com

Ministri Lluka Sot në Gjykatë

Gjykimi ndaj ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe Eliana Nakës, të cilët akuzohen për konflikt interesi, pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në seancën e kaluar avokati i ministrit Lluka, Artan Artan Çerkini, kishte deklaruar se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se veprimet që Prokuroria i konsideron të jashtëligjshme në esencë janë të ligjshme dhe të cilat janë marrë nga klienti i tij në zbatim te Ligjit për zonat ekonomike dhe vendimit të ministres së Tregtisë më‎ 20.8.2013.

“Ne qysh në fillim të shqyrtimit të kësaj çështje që e ka udhëheq gjyqtari Elmaz Zenuni kishim tërhequr vëmendjen e Gjykatës në disa paqartësi të cilat ende nuk janë eliminuar dhe këtij procesi mund t’i japin një kahje të gabuar”, kishte thënë avokati i ministrit Lluka.

Avokati Çerkini kishte shtuar se prokuroria pretendon se vepra penale është kryer duke u shkelur Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ndërsa neni 424 i Kodit Penal në asnjë dispozitë nuk inkriminon shkeljen e dispozitave të këtij ligji andaj shkelja e dispozitave blankete nuk ka element penal.

Sipas tij, në këtë procedurë gjyqësore do të vërtetohet se Valdrin Lluka nuk ka vepruar nën ndikimin e konfliktit të interesit sepse ai personalisht nuk ka përfituar asnjë dobi pasurore nga zotimi i mjeteve për OJQ-në e përmendur.

“Edhe nga akuza edhe nga fjala hyrëse e prokurores e kuptuam se nuk e kanë të qartë konceptin e OJQ-së si një organizatë joprofitabile sepse Prokuroria e vlerëson si biznes dhe pastaj e thekson se OJQ-të mund të themelohen vetëm nga kultura, arsimi dhe humanitare, ndërsa vetë koncepti i OJQ-së i formuar me interes për shoqërinë dhe OJQ Jakova Inovation Center nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë përfitim sepse një OJQ nuk themelohet me pasë përfitim por themelohet në arritjen e qëllimeve të saj”, pati deklaruar avokati Çerkini.

Ndërsa, avokatja e Eliana Nakës, Teuta Zhinipotoku, në seancën e fundit kishte propozuar si dëshmitare Mimoza Kusari-Lilën dhe Blerim Ibrahimin.

Dy të akuzuarit, Valdrin Lluka dhe Eliana Naka, janë deklaruar të pafajshëm.

http://kallxo.com/ministri-lluka-deklarohet-rreth-fajesise/