Valdrin Lluka: Nga viti i ardhshëm, Kosova si zonë rregulluese e energjisë

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se nga fillimi i vitit të ardhëm Kosova do të njihet si zonë rregulluese e energjisë.

“Kosova deri më tani ka pasur sfida të jashtëzakonshme, sidomos në mos implementimin e marrëveshjes së energjisë me Serbinë, duke mos i lejuar Kosovës të mos bëhet jo vetëm anëtare në ICI po gjithashtu të jetë zonë rregulluese”, tha ai.

Por, kjo pritet të ndryshojë nga viti 2020. Këtë, Lluka e ka quajtur si një sukses të madh.

“Mirëpo, insistimi dhe puna e palodhshme e stafit të transmisionit të energjisë ka arritur që të paktën, duke filluar nga prilli i vitit të ardhëm, përkatësisht me 14 prill, Kosova do të njihet si zonë rregulluese dhe në këtë formë do ta krijojë një pavarësi në kuptimin e kontrollimit të kufijve energjetikë. Dhe kjo është njëra ndër sukseset më të mëdha i këtyre viteve të fundit, prandaj falënderoj Transmisionin e Kosovës”, deklaroi ai.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik ka folur edhe për efiçencën në energji. Sipas tij, Qeveria e re dhe të tjerat pas saj, duhet ta kenë prioritet këtë formë të prodhimit të energjisë.

“Efiçienca e energjisë mbetet sfidë sepse për ta arritur tragetin e e energjisë nga efiçienca, në vitin 2030, siç parashihet me marrëveshjen e re, parashihet që të investohen rreth 80 milionë euro në vit në Kosovë. Ne aktualisht i shpenzojmë 7-8 deri në 10 milionë euro në vit, mirëpo jo më shumë, prandaj kërkohet dedikim shumë më i madh  i qeverive të ardhshme që energjia efiçente të jetë më shumë prezente”, ka deklaruar Valdin Lluka.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për sistemin elektroenergjetik.