MZhE e konsideron 'shumë të lartë' tarifën e vendosur nga ZRrE

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse.

Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në detyrë, Valdrin Luka ka shprehur qëndrimet e kësaj ministrie në lidhje me trajtimin e 20 MW shtesë solare, gjatë kohës që ZRrE ishte në procesin e përcaktimit të tarifës nxitëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Qëndrimi kundër kësaj tarife është shprehur në një një shkresë dërguar Rregullatorit më 28 maj 2019.

Ministri Lluka ka thënë se tarifa e propozuar është shumë e lartë dhe jashtë trendeve të çmimeve të arritura në regjion si dhe kostos në rënie të këtyre teknologjive.

“Të shqetësuar thellësisht se kjo tarifë do të ketë impakt të ndjeshëm në tarifat e konsumit final, kërkojmë që të rishqyrtoni rrënjësisht supozimet që keni përdorur për të arritur te drafti i propozuar në mënyrë që të kemi një pmim shumë më të ulët, i cili reflekton qasjen balancuese në zhvillimin këtyre projekteve duke vendosur theks të veçantë në mirëqenien sociale të qytetarëve të vendit”, thuhet në shkresën e ministrit Lluka drejtuar ZRrE-së.

Për më tepër, ministri Lluka ka potencuar se modeli i tarifave nxitëse të përcaktuara në mënyrë asministrative është një nga format që nuk është duke u përdorur në asnjë nga vendet e regjionit.

“Prandaj rekomandoj që bashkërisht të gjejmë modalitet që në të ardhmen, çmimi për këto projekte të jetë derivat i procedurave përmes skemave konkurruese të tregut”, përfundon shkresa.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përifitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavat. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

Rritja e sasisë së energjisë solare që do të përfitojë tarifa nxitëse +20 megavat, me çmim 85.5 euro për megavat për orë është miratuar me tri vota për dhe një kundër në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së më 27 nëntor. Kjo skemë mbështetëse nuk kishte kaluar në mbledhjen e 14 tetorit, kur dy anëtarë të bordit kishin votuar për dhe dy kundër.

Anëtarët e Bordit, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj kanë votuar për ndërsa u.d i kryetari të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova ka votuar kundër. Janova ka thënë se nuk është kundër çmimit por është kundër kësaj skeme mbështetëse.

Kjo pikë ka hyrë në rend të ditës me propozim të anëtarit Izet Rushiti dhe votim të Bordit të ZRrE-së.

Propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro e ka dhënë anëtari i Bordit, Selman Hoti.

Kjo ka qenë mbledhja e dytë kur skema mbështetëse ishte hedhur në votim. Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova edhe në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavat është jashtë caqeve.

Për shkak se kishte votim të barabartë votimi për këtë skemë ishte shtyrë për një mbledhje tjetër të bordit të ZRrE-së.

KALLXO.com raportoi dje që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ambasada gjermane në Kosovë, USAID dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Vendimi i ZRRE-së që favorizon Devollët