Ilustrimi: KALLXO.com

Letra nga Ministria për uljen e pagave shkakton 'tërmet' në ndërmarrjet publike

Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike e cila është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka dërguar një letër në adresë të ndërmarrjeve publike të Kosovës në lidhje me implementimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.

Kjo letër është dërguar një muaj para se të hyjë në fuqi ky ligj i cili brenda saj ka të rregulluar edhe ndërmarrjet publike.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka thënë se kjo letër ka shkuar te menaxhmentet e ndërmarrjeve publike të Kosovës por pa direktivën e tij.

“Ne duhet me qëndru pak të distancuar në këtë aspekt, se duhet ose s’duhet që ndërmarrjet publike me zbatu këtë ligj. Unë nuk kam dërgu asnjë letër ose opinion te ndërmarrjet publike. Mirëpo një letër ka dalë prej Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike e cila është në kuadër të MZhE-së, pa direktivat e mia”, ka thënë Lluka për KALLXO.com.

Lluka ka potencuar se kjo letër ka shkaktuar konfuzitet te sindikalistët dhe të gjitha ndërmarrjet publike, në lidhje me implementimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.

“Kjo letër ka shkaktuar konfuzitet tek sindikalistët dhe krejt ndërmarrjet publike. Ligji është ligj edhe duhet me u implementu dhe duket me implementu qysh e thotë ligji”, ka thënë Lluka.

Neni 27 i Ligjit për pagat në sektorin publik mbulon kompetenca për caktimin e pagave në ndërmarrjet publike.

Në këtë nen thuhet se organet kolegjiale drejtuese të ndërmarrjeve publike, me kapital mbi 50 për qind shtetëror, miratojnë, nivelet e pagave të punonjësve të tyre të caktuar nga Qeveria, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficienti maksimal 7.

Ndërsa për ndërmarrjet publike, veprimtaria e të cilave është me humbje, ose që subvencionohen nga shteti, Qeveria e Kosovës, me propozim të Komisionit ndërministror për ndërmarrje publike, miraton, me akte të veçanta, nivelin e pagave dhe të shtesave për performancën e punonjësve të tyre.

Në paragrafin 3 të këtij neni, Komisioni Komunal i Aksionarëve, për ndërmarrjet publike, me kapital mbi 50 për qind të zotëruar nga komunat, cakton nivelet e pagave të punonjësve të tyre, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficientit maksimal 5.