Lluka uron VV-në, bën Nismën fajtore për humbjen e koalicionit

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtari i AKR-së, Valdrin Lluka, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e mbajtura dje.

“Të dashur qytetarë, ju vendoset për ndryshim! Për këtë, dua të përgëzoj Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilët arritën të dalin fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Tutje kandidati i AKR-së për deputet ka thënë që me këto rezultate u dëshmua që nepotizmi dhe favoret politike janë shkurtpamëse.

“I falënderoj ata mijëra votues që më besuan votën anëmbanë Kosovës. Do t’ju mbaj të informuar lidhur me proceset dhe rezultatet finale. Për një gjë jam i lumtur. U dëshmua që nepotizmi dhe favoret në politikë janë shkurtpamëse dhe nuk japin rezultate në zgjedhje. Rruga e sigurte drejtë suksesit është meritokracia dhe transparenca”, ka theksuar Lluka.

Sipas 98 për qind të votave të numëruara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 200 mijë e 754 vota ose 25.5 %, pastaj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.86 për qind, 195 mijë e 296 vota dhe Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 166 mijë e 9 vota, ose 21,13 për qind.