Telekomit nuk i ndahen mjete nga qeveria, akuzojnë Valdrin Llukën

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se Ministria i Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim për mos ekzekutim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve për implementim të kodit shtetëror dhe Ligjit për përgjime ligjore.

Në një komunikatë Telekomi e ka fajësuar ministrin në detyrë Valdrin Lluka duke thënë se po i dëmton qëllimisht.

“Dhe, në të njëjtin kohë vendimi për mosekzekutim të mjeteve të ndara të Qeveria e Kosovës, ministri Lluka e forcon edhe më tepër bindjen tonë se me vendimet e tij po e dëmton qëllimshëm dhe për interesa të tij afarizmin e Telekomit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Në njoftimin e Telekomit thuhet se viti 2019, Telekomin e Kosovës e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta dhe se vazhdimisht të gjitha sfidat, telashet financiare i ka adresuar në mënyrë zyrtare vazhdimisht tek ministri i MZhE-së, Valdrin Lluka.

“Ministrit Lluka çdo herë dhe në çdo takim të mundshëm i janë rikujtuar problemet dhe pasojat e mundshme nga neglizhenca dhe mospërkrahja e duhur për kompaninë tonë, në kohën kur kemi pasur nevojë më së shumti për bashkëpunim reciprok dhe adresim të qartë të vendimmarrjeve në të dobi të stabilitetit teknik, financiar dhe social për Telekomin e Kosovës”, theksohet në njoftim.

Por sipas tyre ministri Lluka në shumë raste e ka dëmtuar imazhin e Telekomit të Kosovës me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes.

“Deklarime këto që nuk do të duhej të përfaqësonin qëndrimin parimor dhe logjik të Aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës. Prapavija e deklarimeve të tilla nga ministri Lluka edhe sot mbetet e panjohur dhe e pasqaruar”, vazhdon njoftimi.

Më tej, Telekomi i Kosovës ka potencuar se deklarimet e ministrit Lluka jo vetëm që kanë stagnuar operimet normale të kompanisë, por me veprimet e tilla po rrezikon edhe Sigurinë Nacionale duke vështirësuar operimin edhe institucioneve të sigurisë kombëtare, siç janë Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit.

“Ne gjatë gjithë kësaj kemi kërkuar përkrahje nga ky ministër për të na mundësuar dhe lehtësuar procedurat e finalizimit të procesit të marrjes së një garancioni bankar për t’i financuar projektet më të rëndësishme për Telekomin e Kosovës, siç janë projektit për implementimin e Kodit Shtetëror, Ligjit për Përgjim si dhe mirëmbajtjen e tërësishme të platformave teknike”, përfundon njoftimi.

15 janari i vitit 2019 ka qenë afati i fundit që operatorët telefonikë si Telekomi i Kosovës dhe IPKO të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 përndryshe pasojnë dënimet monetare.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të  viti 2018 por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

Sfidat e 383-shit