Mimoza Kusari Lila në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Mimoza Kusari-Lila Dënohet 3500 Euro për Spotin me Fëmijë

Mimoza Kusari-Lila ia ka parë sherrin një spoti ku janë shfaqur të mitur, pasi PZAP-i për këtë video ka shqiptuar dënimin prej 3500 eurove.

Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova në panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është pranuar si e bazuar ndaj subjektit politik Alternativa.

NDËRLIDHUR

Paneli i ka shqiptuar gjobën prej 3500 eurove këtij subjekti për një spot të Mimoza Kusari-Lilës, kandidates së Alternativës për kryetare të Gjakovës, ku shihen persona të mitur.

Më 10 tetor 2017 BIRN dhe I/KS kanë parashtruar ankesë në PZAP me të cilën pretendonin se kandidatja për kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, në spotin e saj të postuar në Facebook ka shkelur Kodin e Mirësjelljes duke bërë fushatë në objekt publik, konkretisht në ambientet e klubit basketbollistik Vllaznimi.

Në po të njëjtin spot, sipas BIRN dhe I/KS, janë përdorur edhe persona të mitur në fushatë.

Në përgjigjen në ankesë, subjekti politik Alternativa, ka theksuar se kandidatja për Kuvendin Komunal të Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ka vajtur për vizitë te përfaqësuesit e klubit basketbollistik Vllaznimi, me ç’rast ka rezultuar që të jenë të pranishëm pjesëtarë të grupmoshave të ndryshme të cilët janë pjesë e klubit në fjalë.

Alternativa, e ka njoftuar PZAP-in se videoja e realizuar nga vizita me klubin e basketbollistëve “Vllaznimi” është larguar nga rrjeti social Facebook.

PZAP, pasi që shyrtoi të gjitha shkresat e lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar.

“Nga CD-ja e ofruar si provë, në mënyrë të padyshimtë është konstatuar se Mimoza Kusari- Lila, kandidate për kryetare të komunës së Gjakovës, nga Alternativa, ka bërë fushatë në objekt publik dhe po ashtu ka përdorur fëmijë në spotin e saj, në rrjetin social facebook, veprim ky që është në kundërshtim me dispozitën e nenit 35.1 të LZP-së dhe po ashtu në kundërshtim me nenin 5.2 të Rregullës Zgjedhore nr.13/2013 të KQZ-së”. thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-së.

Neni 35.1 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ndalon përdorimin e hapësirave dhe pasurisë publike në fushatë, ndërsa neni 5.2 i Rregullës Zgjedhore Numër 13/2013 përcakton kategoritë e njerëzve që nuk kanë të drejtë të shfaqen në fushata zgjedhore, në mesin e të cilëve edhe personat që nuk kanë mbushur 18 vjet.

KALLXO.com shkroi se subjektet politike nga ankesat e BIRN dhe Internews Kosova vetëm dje janë dënuar në vlerën e 18 mijë eurove.

14 Tetor 2017 - 10:30

Petrit Kryeziu 14/10/2017 - 10:30
NDËRVEPRIMI0