Jeta Xharra

Milaim Zeka e PDK Polemizojnë për Burimin e Akuzave Ndaj Jeta Xharrës

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së në pushtet, hodhi poshtë akuzat se partia e tij ka qenë prapa fushatës kundër BIRN-it në Kosovë gjatë asaj kohe.

“Nuk jam i interesuar t’i komentoj deklaratat e Milaimit (Zekës) ose nëse ai ka të drejtë apo jo. Nuk më intereson për përrallat e tij”, tha Musmurati.

Ai po i referohej Milaim Zekës, një gazetar që në vitin 2009 ka punuar për emisionin “Pa Rrotlla” dhe ka pasur lidhje të ngushta me PDK-në- dhe i cili më 22 dhjetor kërkoi falje që në vitin 2009 kishte marrë pjesë në një fushatë kundër Zyrës së BIRN-it në Kosovë dhe drejtores së zyrës, Jeta Xharra.

“Më vjen shumë rëndë që me thashethemet e këtyre njerëzve (të PDK-së), me letrat e tyre, e kam pasë një periudhë të rebelimit shumë të keq në raport me Jeta Xharrën. Na vijshin me letra na thonin “Jeta punon… kqyre kush është Jeta”, tha Milaim Zeka në emisionin “Komiteti” të publikuar më 22 dhjetor.

Në maj të vitit 2009, një gazetë tashmë e mbyllur, “Infopress”, dhe programi i Zekës “Pa Rrotlla”, lansuan një fushatë kundër Zyrës së BIRN-it në Kosovë dhe drejtores së kësaj zyreje.

Në 12 artikujt e publikuar në “Infopress”, Jeta Xharra u quajt “spiune serbe’, “bombë profesionale’, ‘prostitutë e ambasadave’ dhe iu nënshtrua shumë ofendimeve tjera.

Në qershor të vitit 2013, një panel i gjykatësve i shpalli të pafajshëm gjashtë të pandehurit për kërcënim ndaj Jeta Xharrës dhe shkelje të të drejtave të saj gjatë kësaj fushate të vitit 2009.

Gjykata vendosi që artikujt nuk përbënin kërcënim të rëndë ndaj Xharrës edhe pse ato “e kanë dëmtuar nderin dhe reputacionin” e saj.

Të akuzuarit ishin kryetari i komunës së Skënderjat Sami Lushtaku, ish pronari i gazetës “Infopress”, Rexhep Hoti, ish kryeredaktori Avni Azemi dhe dy ish gazetarët Rizah Hajdari e Qani Mehmedi.

Ata lansuan këtë fushatë kundër Jeta Xharrës pasi RTK transmetoi një edicion të programit të BIRN-it “Jeta në Kosovë” në të cilin shfaqeshin problemet me liri të shprehjes në Kosovë dhe dyshimet për keqmenaxhim në komunë e Skënderajt që udhëhiqej nga Sami Lushtaku.

Programi gjithashtu përmbante një storje se si ekipi hulumtues i BIRN-it ishte sulmuar dhe ndjekur nga komuna e Skënderajt në një … përderisa po tentonin ta xhironin një raport për qeverisjen lokale.

Gazeta lëshoi një kërcënim implicit në një nga artikujt e vet duke thënë se “vetë jeta ka zgjedhur që të mos jetojë gjatë”.

Zeka ishte një nga gazetarët të cilët shkruan kundër Xharrës gjatë kësaj fushate, duke organizuar një emision njëorësh në televizionin publik me mysafirë nga “Infopress” të cilët sulmuan hulumtimin e BIRN-it në Skënderaj.

Në një deklaratë për BIRN të dhënë përmes telefonit, Milaim Zeka konfirmoi se PDK ka qenë prapa gjithë kësaj fushate.

“Nuk janë përralla ato që kam thënë: ato ishin akuza publike që ata i kanë bërë kundër Jeta Xharrës dhe të tjerëve. Ata (zyrtarët e lartë të PDK-së) nuk kanë ditur asgjë tjetër përveç se t’i akuzojnë njerëzit si spiunë të shërbimeve të ndryshme”, tha Zeka.

Drejtorja e BIRN-it për Kosovë, Jeta Xharra, thotë se beson që rrëfime të tjera të ngjashme do të pasojnë.

“Duhet të jemi gati për më shumë rrëfime të tilla. Fatkeqësisht, numri i komentuesve dhe shërbyesve që kanë mashtruar opinionin me raportimet e tyre të pavërteta gazetareske të bazuara në akuza të rrejshme… është i madh, jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë Ballkanin”, tha ajo.

“Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe nuk do të kem asgjë të përbashkët me ‘gazetarë’ të tillë’ që shërbejnë si goditës politikë të grupeve të ndryshme të interesit”, tha Jeta Xharra.