Pamje nga takimi i sotëm në Strasbourg – Foto: Kuvendi i Kosovës

Marrëdhëniet BE-Kosovë Trajtohen në Strasbourg

Në Strasbourg të Francës sot ka nisur takimi i dytë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

Në punimet dyditore, delegacioni i Kuvendit i të Kosovës kryesohet nga Xhavit Haliti, kryetar i Komisionit për MSA, ndërsa ai i Parlamentit Evropian nga Tonino Picula.

Të pranishëm janë edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian si dhe nga Qeveria e Kosovës (ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, dhe zëvendësministrja e Integrimit Evropian, Anila Statovci).

Sot, në ditën e parë të punimeve, u trajtuan tema të ndryshme si gjendja e marrëdhënieve BE-Kosovë, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, marrëdhëniet fqinjësore dhe dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Punimet e këtij takimi do të përmbyllen nesër me një konferencë për medie nga Xhavit Haliti dhe Tonino Picula.