Mamusha e Etur për Ujë e Transparencë, me Nepotizëm dhe Rrugë ‘Pa Dalje’

Dy vjet më parë, Arif Bytyç nga KTAP, kishte fituar zgjedhjet komunale në Mamushë ndaj kundërshtarit të tij politik Abdulhadi Krasniç, nga KDTP.

Kryetari Bytyç i cili e udhëheq komunën me 5.507 banorë, me shumicë turke prej 93.1 %, me pakicë shqiptare me 5.9% dhe e cila ka një buxhet vjetor prej 1.400 milion euro, ndër të tjera kishte premtuar se banorët e Mamushës do të kenë ujë të pijshëm, kanal të ujitjes për fushat e Mamushës, infrastrukturë rrugore, aktivitete për rininë dhe zvogëlim të papunësisë, mirëpo tani që Bytyç ka ardhur në mes të mandatit situata nuk është ashtu siç kishte premtuar.

Banorët e Mamushës ankohen për mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa tregojnë se komuna nuk po bën asgjë për ta zgjidhur këtë problem. Ata thonë se furnizimin me ujë të pijshëm e bëjnë duke marrë ujë në Prizren, përjashtuar rasteve të cilët kanë instaluar filterët për pastrimin e ujit vlera e të cilëve kushton më shumë se 700 euro për familje.

Kryetari i Mamushës në emisionin “Jeta në Komunë” shprehet se disa herë ka pasur takime me Zyrën e Kryeministrit për këtë problem, po ashtu thotë se ka pasur disa mbledhje me Organizatën Qeveritare Turke TIKA dhe ujësjellësin e Radoniqit. TIKA thotë t’i ketë premtuar që do t’ i instalojë gypat e ujit deri në fshatin Krushë0 e Madhe, po ashtu thotë se ka marrë përkrahje edhe nga Zyra e Kryeministrit, mirëpo sipas tij problemi kryesor qëndron në faktin se Mamusha nuk ka buxhet për të investuar në këtë projekt, ani pse këtë fakt e kishte ditur para se të jepte premtimin.

“Ne po presim kur do të na ndihmojnë TIKA dhe Zyra e Kryeministrit sepse ne si komunë me këtë buxhet që kemi, nuk ka shanse ta bëjmë një projekt të tillë”, tha Bytyç.

Komuna e Mamushës, e cila nuk ka asnjë drejtor femër, për më tepër është treguar jo transparente nga matjet e bëra nga shoqëria civile.

Ajo del të jetë komuna me më së paku transparencë në kuadër të komunave të regjionit të Prizrenit, me vetëm 19.8% të nivelit të përgjithshëm bazuar në 44 indikatorë të marrë nga KDI.

Në komunën e Mamushës nuk bëhet publikimi i procesverbaleve përmes ueb faqes si një nga elementet thelbësorë të transparencës së punës të institucioneve lokale, kryetari nuk ka asnjë ditë të caktuar për takim me qytetarët, nuk raporton në Kuvend dy herë në vit ashtu siç është e paraparë me ligj, nuk ka zyrtar për informim dhe koordinator për qasje në dokumente publike si dhe mungon publikimi në ueb faqe i konkurseve për punësim dhe kriteret e punësimit.

I pari i komunës së Mamushës ka mbi një vit që nuk shkon fare në mbledhjet e Kuvendit Komunal dhe për këtë thotë se nuk e sheh të nevojshme ngase ka kryetarin e Kuvendit dhe drejtorët e tij të cilët thotë se mjaftueshëm i kryejnë punët në kuvend.

Në kuadër të debateve “Jeta në Komunë” për të dëshmuar jo transparencën, Bytyç, nuk doli as para këshilltarëve komunalë për të treguar punën që ka bërë për dy vite dhe për t’u përballur me akuzat e tyre.

“Jo bre, po unë as nuk e njofi opozitën, ata kanë fjalë si demushi, po nuk është opozita vetëm me fol, ata nuk janë për të ardhmen e Mamushës” theksoi Bytyç.

Për më tepër, që nga ardhja në pushtet e kryetarit Arif Bytyç, dy shkollat që janë në Mamushë ajo fillore dhe shkolla e mesme i ka ndërruar emërtimet e tyre nga gjuha shqipe i ka kthyer në emra turk.

Shkolla fillore në Mamushë deri në vitin 2013 mbante emrin “Haxhi Ymer Lutfiu” ndërsa tani mban emrin “Anadolu”. Shkolla e mesme që deri në vitin 2012 quhej “Gjon Buzuku”, tani mban emrin “Ataturk”.

“Në shkollën fillore ka investuar një komunë në Turqi me të cilën jemi binjakëzuar dhe Organizata Qeveritare Turke TIKA, kanë investuar mbi 1.5 milion euro, edhe normal kush i jep paret ai edhe i mshon fyllit… ndërsa për shkollën e mesme ka qenë propozimi i arsimtarëve dhe MAShT e ka aprovuar kërkesën për ndërrimin e emrit. Mos harroni shteti turk është mik i Kosovës dhe për këtë duhemi me u krenu” tha Bytyç në emisionin “Jeta në Komunë”.

Edhe përkundër faktit se ekonomia e Komunës së Mamushës është e bazuar kryesisht në bujqësi dhe në shkallë të vogël të tregtisë aktive dhe një numër i vogël i qytetarëve janë të punësuar në organet komunale, në këtë numër të vogël të qytetarëve zënë vend edhe disa nga të afërmit e Kryetarit të komunës, i cili e ka të punësuar dhëndrin e tij si drejtor të shkollës fillore.

Arif Bytyç në kabinetin e tij e ka të punësuar edhe djalin e vëllait, ndërsa vajzën e ka të punësuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mamushë.

“Unë kam të drejtë sipas vendimit ekzekutiv që kënd të du e marr si këshilltar, edhe unë po krenohna që e kam marrë djalin e vëllait, sepse Mamusha e dinë kush e tek është ai. Vajzën e kam në punë po u bo bajat tuj më pyet për këtë punë… dhëndri është punësu po ai që kryen fakultet duhet me punu”, thotë kryetari.

Nga anketat e komunave, Mamusha ka kthyer përgjigje për ekipin e “Jeta në Komunë” në të cilën ka deklaruar se kalueshmëria e testit të arritshmërisë në Mamushë ka qenë 100%.

“Kjo është e vërtetë sepse të gjithë nxënësit që kanë hy e kanë dhënë testin, më duket vetëm një nxënës nuk ka kalu”, tha kryetari Bytyç në emision.

Ndërsa pas verifikimit të kësaj informate, nga Ministria e Arsimit ekipi i “jeta në Komunë” ka marrë përgjigjen se kalueshmëria e testit të arritshmërisë në Mamushë është 65.1 %.

Ajo që mund të vërehet si sukses në Komunën e Mamushës, është investimi në infrastrukturën rrugore.

“Ne kemi thënë se krejt rrugët dhe rrugicat brenda Mamushës kanë me qenë të shtruara me kubëza dhe kjo është e kryme, asnjë rrugicë nuk është e pa shtruar me kubëza” tha Bytyç.

Bytyç deklaroi se është duke bërë një projekt të madh me KFOR-in turk për kyçjen e Mamushës në autostradë, ngase kjo komunë nuk ka dalje në autostradë.

Banorët e Mamushës qasjen ne autostradë mund ta kenë vetëm përmes Prizrenit apo Suharekës, ndërsa tani ai po kërkon që të ketë një dalje në fshatin Novakë.

Edhepse ka marrë përgjigje negative nga Ministria për kyçje në autostradë, kryetari i Mamushës thotë se e ka nisur rrugën drejt autostradës, ndërsa KFOR-i turk thotë se i ka ndihmuar me mjete të rënda siç janë ekskavatorët dhe kamionët dhe gjysmën e rrugës tanimë veç se e ka asfaltuar.

Bytyç thotë se nga Qeveria e Kosovës nuk kërkon mjete as ndihmë.

“Vetëm le të na lëshojnë një vendim që thotë se komuna e Mamushës mund të kyçet në autostradë, ne mjetet i gjejmë vet. Përndryshe përkrahje deri më tani kemi gjetë vetëm nga kryeparlamentari i Kosovës”, thotë ai.

Bytyç thotë se me realizimin e këtij projekti hajrin do t’ ia shohin edhe banorët e Rahovecit.

Në fund të emisionit “Jeta në Komunë” kryetari Arif Bytyç, premtoi se Mamusha pas dy vitesh do të jetë më ndryshe.

“Në dy vitet e ardhshme për ne është shumë me rëndësi që do të kryhet sistemi i ujitjes së tokave dhe uji i pijes në Mamushë, këto janë shumë me rëndësi dhe në këtë drejtim do të punoj natë e ditë për t’ i realizu. Po ashtu, këto dy vite do të shtroj me zhavor të gjitha rrugët fushore, që çdokush në arën e vet me shku me kerr, jo me traktor. Po ashtu edhe tensionin e lartë do ta çoj nëpër ara si dhe kuptohet do ta shtroj rrugën për tu kyçë në autostradë”, premtoi Bytyç.