Jeta në Komunë

Kllokoti dhe Mamusha në ‘Jeta në Komunë’

Kryetari i komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq, dhe ai i komunës së Mamushës, Arif Bytyç, do të flasin të dielën në kuadër të emisionit ‘Jeta në Komunë’ për dy vitet e para të qeverisjes komunale për këtë mandat.

Në debatin që transmetohet në orën 12 në RTK, kryetari i Kllokotit Spasiq përgjigjet për atë se si kishte ndodhur një incident mes tij dhe një asamblisti komunal gjatë të cilit Spasiq akuzohet se e kishte grushtuar asamblistin. Gjithashtu Sreqko Spasiq rrëfen pse ndriçimi publik në komunën e re nuk funksionon; pse e ka emëruar në postin e nënkryetarit një person që nuk jeton brenda Kosovës dhe nuk vjen rregullisht në punë dhe për atë se si borxhet e komunës po e pamundësojnë investimin në rregullimin e ujësjellësit në këtë komunë.

Ndërsa në debatin për Mamushën me kryetarin Arif Bytyç, që fillon në orën 13 në RTK, është biseduar për gjendjen e bujqve në këtë komunë meqë bujqësia është sektori në të cilin banorët e kësaj komune janë të fokusuar më së shumti. Gjithashtu Bytyç përgjigjet edhe pse konkurset në komunë nuk bëhen publike, për atë se pse banorë të komunës së Mamushës bartin ujë me shishe nga Prizreni si dhe pse emërtimet shqip të shkollave në këtë komunë janë ndërruar me emërtime turke.