Ilustrim

Lekaj: Të Gjitha Rrugët Nacionale dhe Rajonale Janë të Kalueshme

Pas reshjeve të mbrëmshme të borës, e në disa vende edhe të shiut, situata në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës është stabile.

Kështu ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Sipas ministrit, të gjitha rrugët nacionale e rajonale janë të kalueshme pa ndonjë vështirësi.

“Shtresat qarkulluese janë të pastruara nga bora, ndërsa brezi rrugor është më borë”, ka shkruar ministri Lekaj në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas ministrit, reshjet e borës kanë filluar diku rreth orës 20:40 të natës dhe kanë vazhduar deri rreth orës 4:30 të ditës së sotme.

“Kompanitë e mirëmbajtjes të gjitha janë në krye të detyrës, për çdo lëshim që mund të hasin qytetarët gjatë vozitjes se tyre, jemi në dispozicion për të reaguar”, ka shtuar ministri.

Më tej, ministri Lekaj ka thënë se kryesorja nga të gjitha është siguria e qytetarëve në rrugë, prandaj ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe të përshtatet shpejtësia me kushtet e rrugës dhe të respektohen shenjat e komunikacionit.