Kurti: Turp t’u Vijë, ia Dhatë Bujqësinë Përfaqësuesit Direkt të Beogradit

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, deputeti Albin Kurti kritikoi Qeverinë e votuar dje pse ia kanë dhënë për ta drejtuar Ministrinë e Bujqësisë siç tha ai jo një serbi por një përfaqësuesi direkt të Beogradit.

“Këta kanë vendosur që Beogradit pasi që ja falën tregun e ushqimeve të Kosovës t’ia japin edhe çelësat e hambarit që është bujqësia, atij Beogradit që kurrë nuk ka kërkuar falje për projektet e veta spastruese gjatë gjithë shekullit të kaluar, atij Beogradi që kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet”, theksoi Kurti.

“Hipokrizia më e madhe është se e gjithë kjo qeveri që u bë qeveri e sekserëve, në fushatë kanë thënë se do t’i marrin votat e fermerëve dhe bujqve të gjithë këta kanë premtuar fonde pa fund për bujqësinë, e tani bujqësinë ia kanë dorëzuar Listës Serbe. Turp duhet t’u vijë”, tha Kurti.

Në Kuvendin e Kosovës po debatohet rreth parimeve programore të Qeverisë.

Vendimi për seancën e jashtëzakonshme u mor nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila e shqyrtoi kërkesën e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Vetëvendosje dhe LDK kërkuan dje që një mbledhje e jashtëzakonshme të mbahet sot në ora 12:00, për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë seancës së djeshme, tashmë kryeministri Ramush Haradinaj në fillim të mbledhjes ku do të votohej Qeveria e drejtuar prej tij, tha se ka përgatitur vetëm disa orientime programore, duke premtuar se “në të ardhmen do të përgatitet një program qeveritar”.

Ndryshe, Ramush Haradinaj është zgjedhur dje kryeministër i Kosovës.

Qeveria e drejtuar prej tij mori 61 vota për dhe një abstenoi.

Në momentin e votimit, deputetët e Vetëvendosjes, të LDK-së dhe Alternativës e kanë lëshuar sallën.

http://kallxo.com/kalon-ne-kuvend-qeveria-haradinaj/